Teodor Keko: Qëllimi fisnik justifikon çdo mjet

(Botuar me 16 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Teodor Keko-

Tani më, pavarësisht nga pasqyrat e “realizmit socialist”, që bëjnë pozita, në të cilat jeta shqiptare paraqitet në një përmirësim gradual, për të gjithë po bëhet e qartë, se vendi po rrëshqet përsëri në mënyrë të frikshme drejt kaosit; për të gjithë ka qenë e paimagjinueshme, që skafistët t’i thonë shtetit “bjeri, ti, bjeri!”; është jashtë çdo konceptimi, që njerëzit të udhëtojnë me bomba e automatikë nëpër rrugët e kryeqytetit (revolja nuk quhet më armë!) dhe që vrasje tipike për Amerikën e fill pas zbulimit evropian të kryhen në mes të Tiranës, një kilometër përreth Ministrisë së Brendshme!

Kaosi është i dukshëm kudo: balta, plehrat, hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë, refuzimi brutal për të paguar taksat, arroganca totale… Të gjitha këto po i paguan populli me një çmim tmerrësisht të shtrenjtë: tani nuk ka investitorë seriozë të huaj, që të duan të investojnë në vend dhe kjo do të thotë, që mjerimi po troket në çdo derë tonën, pa harruar se edhe vrasjet e bëra për ditë nga vetë ne, edhe grabitjet në mes të rrugëve po vrasin dhe grabisin njerëzit tanë. Tani secili nga ne ka në kokë pyetjen: po radha ime, kur do të vijë ?

Tani, që ka ardhur radha e të gjithëve ne, përfundimisht Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeverisje me dorë të fortë. Ndryshe, ajo do vazhdojë të ecë në rrugën e vdekjes së ngadaltë!

Tani nuk është shumë e nevojshme të lexohen me laps në dorë kartat e të drejtave të njeriut të botës civile, por të mësohet përmendësh karta e të drejtës së popullit, kur ky popull kërcënohet nga barbarizmi! Në stadin civil, bota nuk ka hyrë me kartën e Helsinkit, por me karamanjollë dhe me qelitë e famshme skandinave, ku nuk dilje kurrë i gjallë! Pasuria më e madhe e një vendi është popullata e tij civile! Sot ka ardhur koha të shpëtohet kjo popullatë nga kolera e anarshisë, që po ia shkurton ditët dhe po ia merr bukën me dhunë nga tryeza.

Një shtetar i sjellshëm dhe civil sot është një Don Kishot!

Dhunës së sotme të harbuar, shteti duhet t’i përgjigjet me dhunë! Kështu, jo vetëm do shpëtojë populli dhe vendi, por edhe ata aventurierë, që ndezin sherre dhe na fusin në sherr të gjithëve ne! Një gjë është e sigurt: populli është kundër anarshisë dhe ai ka shumë më tepër djem trima, nga trimat, që bëjnë sot ligjin rrugëve. Nëse qeveria i kërkon, ata janë gati t’i përgjigjen pozitivisht! Presioni që i duhet bërë sot Qeverisë sonë është: shpëtoni Shqipërinë, me çdo kusht, me çdo mënyrë! Qëllimi fisnik justifikon çdo mjet! Përrallat nuk i dëgjon më askush!

 

SHKARKO APP