Vangush Furxhi: Artistja e Popullit Marie Logoreci, pse flas përsëri për Marien?

(Botuar me 15 maj 1999 në KOHA JONE)

Nga Vangush Furxhi-

Në biseda shokësh e miqsh, shkrime gazetash, veprimtari shkencore apo leksione studentësh, shpesh ne që patëm fatin t’i kemi partnerë apo t’ua ndjekim krijimtarinë, i kujtojmë apo i përmendim duke i evidentuar për vlerat e veçanta profesionale në cilësinë e etalonëve artistike. Ky fakt nuk ka të bëjë me nostalgjinë e sëmurë e hipokrite as me përuljen e verbër ndaj traditës skenike e filmike! Ajo lidhet me forcën rrezatuese e imponuese të talentit të madh. Na gëzon gjithashtu fakti që këtij gjykimi i bashkëngjitet edhe ai i brezave të rinj të artistëve, njerëzve të kulturës e spektatorëve, të cilët konkludimin e arrijnë jo nga e gjithë krijimtaria e artistëve por nga parcela të veçanta si incizime e regjistrime shfaqjesh, filma, fotografi etj. Ky fenomen është konsoliduar gati me forcën e aksiomës me artistët e shquar të botës.

Shumë prej filmave, sigurisht jo të gjithë, spektatori i vendeve të ndryshme vazhdon t’i pëlqejë më tepër jo për subjektin, përmbajtjen apo mesazhet që përcjellin, se sa për forcën artistike interpretuese apo regjisoriale. Sigurisht ka dhe të tillë që vlerësohen për kompleksitetin e tyre. Kësisoj vazhdojnë të vlerësohen e shijohen filma e interpretime të Çaplinit, Ezejshtejnit, Felinit, Roselinit, Çerkasovit, Xhuljeta Mazinës, Marçelo Mastrojanit, Entoni Kuinit, Zhan Gabenit etj. Ato janë thesare të kulturës kombëtare e botërore. Të tilla vlera gëzojnë e transmetojnë edhe artistët tanë të teatrit e filmit. Shumë vepra të tyre vazhdojnë të rrezatojnë art cilësor. Të tillë forcë shprehëse artistike vazhdon të rrezatojë edhe Artistja e Popullit, Marie Logoreci në interpretime të saj. Akti i vlerësimit të artit të saj prej spektatorit, edhe sot, lidhet me cilësinë e forcën ndikuese. Pikërisht kjo përbën për të e kolegët e shquar të brezit argumentin për të mos u harruar. Prandaj ajo e ata meritojnë të kujtohen në Panteonin e Kulturës Kombëtare.

Pse flas përsëri për Marien?! Në trasenë që po ecën e shtron Teatri, në të përpjetat e tatëpjetat e tij, më fanepset shpesh si kumt e kulm, si tutor e metaforë, si meteor e prozhektor, figura e të madhes Marie e atëherë si njeri që kërkon t’i nënshtrohet besëtytnive, Zotit e fesë, më pushton ndjenja e fajtorit për atë që s’kam thënë, rikujtuar e nënvizuar, më lind dëshira të vesh petkun e Apostullit për të predikuar. Teatri shqiptar ka kaluar në disa faza: – Në atë nga themelimi si institucion profesionist e deri aty nga viti 1966, gjatë së cilës u vunë vepra nga më të shquarat e dramaturgjisë botërore por edhe disa prej veprave më prestigjioze të dramaturgjisë kombëtare të cilat u regjistruan në repertorin e artë. Plejada e artistëve të shquar, në të cilën renditet edhe Maria, pati fatin të interpretojë këtë lloj dramaturgjie e cila shërbeu si provë e talentit por edhe si kualifikim i lartë profesional. Gjatë kësaj periudhe u interpretuan vepra kryesore të cilat ruajtën vlera të vërteta cilësore. Faza tjetër përfshin kohën e dhjetëvjeçarëve ’70-’80 deri në vitin 1990 gjatë së cilës, meqenëse u ndalua dramaturgjia e huaj, u interpretua prej teatrove, vetëm ose kryesisht, dramaturgjia shqiptare e cila pati pak arritje artistike e vepra që u përfshinë në repertorin e artë. Kësisoj plejada e artistëve të kësaj faze interpretoi në vepra kryesisht të zakonshme e mediokre dhe si të thuash u mat me veten. Për pasojë prova e talentit dhe kualifikimi ishin më të ulëta. Faza e fundit lidhet me vitet 90 e në vazhdim gjatë së cilës u inskenuan e po inskenohen jo vetëm vepra të dramaturgjisë së huaj klasike por edhe të asaj moderne nga gjini e rryma të ndryshme e të shumëllojshme si dhe dramaturgji shqiptare e cila jo vetëm që nuk predominon raportin por as nuk barazohet me atë të huaj.

Plejada e artistëve të kësaj faze, shanset për arritje cilësore artistike i ka më të mëdha po të kemi parasysh edhe lirinë e mendimit që gëzojnë si dhe qarkullimin e vlerave. Parashtruam këtë panoramë për të nënvizuar një mendim rapid: freskinë e vlerave të traditës interpretuese, forcën e talentit të atyre artistëve dhe të dhënave artistike, rrezatimin krahasues e nivelin kulmor si dhe pamjen e “rekordmenit” e “kampionit skenik”. Mendoj se askujt prej artistëve të sotëm nuk do t’i ngelet hatri për këtë konstatim artistik aq më tepër kur prej tyre ka të tillë që gëzojnë atribute të një lloji tjetër por gjithsesi të fuqishme.

Përforcimi i mendimit të mësipërm realizohet duke sjellë shembullin e veprave të tilla si “Xhokonda”, “Dielli im”, “Sonata e hënës”, Sharloti e “Kohët moderne” të Çaplinit, Liri i L. Oliverit, Zapata e Brandosë, Çoçarja e Lorenit etj. Këto e krijime të tjera artistësh, megjithëse kanë vite që janë krijuar, e ruajnë vlerën cilësore, forcën artistike e ndikuese. Ato vërtetojnë fuqinë e talentit të artistëve të tyre, amplitudat e mëdha të të dhënave artistike, mjeteve-shprehëse. Të tilla janë pra edhe krijime të artistëve tanë të traditës e posaçërisht të Marie Logorecit. Përse e kur e kujtoj artisten e madhe?! Gjithmonë atëherë kur sheh inskenime e interpretime rolesh që nuk e kanë plotësinë e tyre e vuajnë nga mungesa e përshtatshmërisë, forcës dramatike, polifonisë së ndjenjave, impozantes psiko-fizike, fuqisë e profondeve zanore, amplitudave të gjera logjiko-emocionale, blatës shqiptare interpretuese etj. E kujtoj Marien sa herë lexoj e rilexoj vepra dramatike që përmbajnë role femërore e kur sugjerimet interpretuese alternative stacionohen vetëm tek ajo. Një teatër pasuron biografinë e madhështinë e tij atëherë kur ai inskenon pjesë të fuqishme ideoartistike, perla të dramaturgjisë me larmi gjinore, stilistikore e drejtimesh, vepra me shtrirje kohore nga zanafilla e Teatrit e Dramaturgjisë e deri në ditët tona, kur ndërton lloje të ndryshme e alternativa teatrore. Ai teatër që i realizon të gjitha këto e detyra të tjera është padyshim më i miri. Kësisoj klasifikimi realizohet si pasojë e kryerjes së detyrave, e barrës që duhet të mbajë secili prej institucioneve të këtij lloji. Edhe sot secili prej teatrove tona duhet ta bëjë krahasimin jo vetëm me imperativin por edhe modelin e perspektivën. Vihen shfaqje prestigjioze e me realizime interpretative. Por vihen njëheri edhe shfaqje të tilla që nuk e njohin cilësinë. Inskenimi, kësisoj, nuk presupozon arritje. Kjo do të thotë që nuk realizohet detyra e nuk pasurohet biografía. Vihen jo rrallë pjesë të tilla ku inskenimi i tyre apo personazheve prestigjioze barazohet me realizimin e cilësinë. Kjo faturon varfërinë e stanjacionin. Artistët e sotëm që parapëlqejnë realizimin dhe teatrin e fjalës, për t’u ngritur në detyrat e kohës e lartësinë profesionale, duhet të jenë në gjendje të përballojnë jo një por shumë personazhe të vështira me thellësi psikologjike, forcë dramatike e erupsione emocionale. Pikërisht kur nënvizoj detyrat e mësipërme kujtoj Marien, larminë e karaktereve, peshën e figurave, aftësinë përballuese e realizuese të saj apo përafrinë me realizime të tjera në botë. Kur më lind dëshira për t’u sugjeruar regjisorëve, apo pedagogëve realizues shfaqjesh, pjesë apo role integrale dhe në përshtatje me të artistët interpretues, më ndodh një proces frenimi, tërheqje, akumulimi. Kjo veçanërisht për personazhe të tillë si Kasandra, Medea, Klitemnestra, Gertruda, Gonerila, Regana, Zonja Ingra, Lu Së Pingu, Bernarda Alba, Nëna Kurajë, Karrari, gratë e Shqipërisë së Veriut etj. Ngec në gjetjen e ekuivalentit alternativ interpretativ atëherë kur e kërkoj atë në kolektivat efektive aktuale të teatrove. Ky fenomen nënvizon vlerën, peshën, cilësinë dhe rolin e etalonit të Maries e kolegëve të saj të brezit. Prandaj ajo e artistet e tjera të shquara vazhdojnë të ruajnë individualitetin dhe të forcojnë personalitetin e tyre artistik.

Vlera e Marie Logorecit nuk qëndron vetëm tek interpretimet prestigjioze e arti i saj në potencë, por në të gjithë krijimtarinë. Kjo parakupton të gjitha rolet që nga fillimi i veprimtarisë së saj si artiste profesioniste. Në gjykimin e krijimtarisë fillestare, të artistes së shquar, disa nisen nga krahasimi i arritjeve më cilësore interpretuese, gjatë viteve, pra i roleve më të goditura të stilit realist interpretativ të Teatrit Shqiptar. Sigurisht ky gjykim është i shpjegueshëm po të kemi parasysh faktin se tek në stili realist ishte dominues dhe i vetëm për 45 vjet me radhë. Çdo tentativë për të paraqitur lloje të tjera interpretuese anatemohesh.

Kjo nga një anë çonte në forcimin e realizmit, me gjithë tendencat për ta ideologjizuar e politizuar atë, e nga ana tjetër kufizonte larminë stilistikore. Kësisoj deklamacioni, natyralizmi e stile të tjera, të cilat kishin një prejardhje nga teatri i mëparshëm amator, asfiksoheshin nga mungesa e pluralizmit artistik. Ata persona që mbështeten në role fillestare të Maries, si tek Fatimja në filmin “Fëmijët e saj”, Nëna e Stefanit në filmin “Tana” apo në regjistrime radiofonike, dhe që në gjykimin e sotëm nuk marrin parasysh faktorët kompleks gabojnë. Gabojnë sidomos kur arrijnë në konkludimin se në ato role, artistja, nuk rrezaton vlera aktuale. Në qerthullin e krijimtarisë fillestare, shumë prej artistëve të brezit të Logorecit, shpërfaqën preferenca të caktuara interpretuese. Disa ishin të mbrujtur me dhuntitë realiste, të tjerët dominoheshin nga preferenca të tjera. Por kërkesa ishte e njëjtë: stili realist. Prandaj një pjesë e artistëve ju nënshtrua, për një periudhë, një lloj dualizmi, fenomen i natyrshëm drejt kualifikimit. Ky proces duhet konsideruar si rinovim e jo stampim. Brenda kësaj logjike vala krijuese duhet çmuar si vlerë e jo stanjacion. Kësisoj të gjithë artistët e shquar, të asaj kohe, pavarësisht preferencave stilistikore e mbrujtjeve të tyre zbuluan tendenca përparimtare dhe afirmuan zhvillim. Vlera aktuale e roleve të saj fillestare konsiston sidomos në shpalosjen e dukurive të përhershme të artit skenik: forcës dramatike, pasurisë ndjesore, mjeshtërisë plastike, forcës shpërthyese etj. Ato krijime mbajnë vulën e dhuntive të veçanta aktoriale dhe fuqinë e mjeteve shprehëse. Në kontekstin kur stili interpretues merr kuptimin e modës roli i elementeve që përmendëm më lart, si dhe i të tjerëve, përbën bazën esenciale të artit interpretues, qenësinë e përhershme e të përgjithshme të tij, formën e përjetësisë së maskave teatrore. Shikimi me optikë të ngushtë i krijimtarisë do të jepte gjykim të gabuar jo vetëm për Marie Logorecin por edhe për kolosë të tillë si Aleksandër Moisiu. Në filmat që i kanë ngelur si “Lorenco i Mediçeve” apo në disa regjistrime radiofonike optika e ngushtë mund të qorrollisej në gjykime të cunguara e të gabuara. Por Moisiu në ato interpretime zbulon vlera aktuale të paarritshme që kanë të bëjnë me një botë të pasur njerëzore e artistike, me ndjenja të fuqishme vullkanike, drithërima shpirtërore, gjurmë trashëgimie të një temperamenti të zjarrtë shqiptar, etj. Këto e të tjera më bëjnë të kujtoj Marien, të vlerësoj e rivlerësoj atë dhe të predikoj për talentin e madh dhe fuqinë e pashtershme të artit të saj.

SHKARKO APP