Vera Isaku: SPIRITUS, Ismail Kadare
(Botuar me 7 Shkurt 1997 në KOHA JONE)
Nga Vera Isaku-
“Në këtë botë askush nuk e di çfarë është e vjetër e çfarë e re”
Kur e mbylla faqen e fundit të “S. P. I. R. I. T. U. S”, atë faqe ku lexohej Tiranë-Paris 1995-1996, e hapa edhe një herë në faqen tre, edhe vura re se jo vetëm po e lexoja edhe një herë, por edhe se isha duke e nënvizuar që në frazën e parë.
“Ne u futëm në dheun e shqiptarëve nga ana lindore e tij. Rrafshnalta maqedonase që lamë pasi ishte e ngrirë. Pritësit vendas kur panë se po fshinim qelqet e makinës, për të shikuar më mirë, na thanë gjysmë duke qeshur se ishte i njëjti dimër.
Kishim muaj të tërë që endeshim në trevat e ish-perandorisë komuniste”.
-Ah, – ia bëra me kënaqësinë që ndiejmë kur kemi zgjidhur një ekuacion, – prandaj e paska nisur kështu, për të lënë të kuptohet se jo vetëm realisht peizazhi fizik i Shqipërisë është më i zymtë, por edhe se brenda perandorisë komuniste, kësaj gjëme të shkapërderdhur mbi gati gjysmën e rruzullit tokësor, modeli shqiptar ishte më i keqi?!
Por edhe pamja postkomunite e këtij vendi nuk është më e mirë. Ish-komunistë të brengosur e të pluhurosur, ish të burgosur që tundin thinjat me hakërrim. Të gjithë të lodhur. Shumica me tapi nëpër duar të shkruara nëpër alfabete që s’fliten kurrkund (mungon vetëm atmosfera e fajdeve) venë e vijnë të çliruar nga një makth i vjetër, por të zaptuar ndërkaq nga një makth i ri. Shto këtu edhe dëborën pllaja-pllaja që e bën tokën të duket si me maskë dhe gati-gati të krijohet përshtypja se ky vend është paracaktuar si një skenë ku do të luhen vetëm tragjedi. Në “S. P. I. R. I. T. U. S” tregohet për një epokë të egër, ndoshta ndër më të egrat në të ashtuquajturin civilizim të njerëzimit, që endet përmes kurtheve, dredhive e shkresave të maskave, të përballueshëm vetëm nga ata që e kanë krijuar, nga shqiptarët. Por të cilit, komunizmi, sigurimi i shtetit, përgjimi pas vdekjes, kampet e shfarosjes, format e edukimit, miqësia me rusët dhe fletë rrufetë, janë po aq të largët sa edhe koha e akullnajave.
Të huajt sa nuk çmenden nga ky mish-mash në të cilin vendasit marrin pjesë me lehtësi. Edhe pse të specializuar për të kapur dramat e ish-vendeve komuniste të lindjes, ata i çudit ky vend me gërxhe e brigje ku sigurimi i shtetit dhe komiteti i partisë jo vetëm ia arrinin të dënonin fise e të shfaroseshin njerëz, por edhe nëpërmjet përgjimit, spiunimit e dosjeve të kapnin në kurth ndonjë shpirt. Me një simpati të pandryshuar për autorin edhe gjatë këtyre viteve të përgojimit të të gjithëve nga të gjithë, e kam pritur një libër me tema të tillë. Kadare, nuk mund t’i shpëtonte temës intriguese të dosjeve, megjithëse herë pas here edhe nëpër faqet e romanit shfaq me ndroje një hezitim.
“E kam thënë qysh në krye, do të çmendem po u futëm te dosjet”. Ngjarjet zhvillohen në një provincë të Shqipërisë në qytetin B, ku inxhinieri i ndërtimit Shpend Guraziu, i ardhur nga kryeqyteti jetonte plot dyshime, nëse arsyeja e qarkullimit ishte vërtet ai parim qesharak i njohjes së popullit, apo një tjetër shkak i fshehtë dhe tinëzar që ai s’do ta mësonte kurrë. Jeta në këtë qytet zhvillohet midis dy polesh. Njëri pol përbëhet prej njerëzish që dita me ditë po mësohen se jeta ishte veç ajo e s’kishte tjetër dhe për të cilët e folura me dy kuptime ishte bërë i vetmi gëzim, por që fati ia kishte ruajtur një dalje shpëtimi, shtegun drejt qiellit. Kaq mund të bënin njerëzit e këtij poli, të shpëtonin shpirtin ashtu si “Pulëbardha e Çehovit, që sillet e përsillet nëpër qytet. Poli tjetër është ai i shefit të sigurimit, Artan Vogli, i rrethuar me “Gaza 69” me ujq të vjetër të përgjimit me vesh dhe me aparate moderne përgjimi të ardhur nga Kina. Modernizimi e lë të pandryshuar dëshirën për vetëflijim të këtyre njerëzve për hir të çështjes. Në mënyrën se si funksionon ky pol shohim të gërshetohet brutaliteti i shtetit me perversitetin e individëve, çka e vështirëson e bën gati-gati të pamundur shpëtimin e shpirtit nga individët e polit tjetër. Megjithatë Suzana K. që luan “Pulëbardhën”, mendimi që organizon seanca spiritizmi, Skënderi që guxon të flasë kundra e sidomos Shpend Guraziu që ka rast të shoqërojë një dërgatë të huaj bëjnë ç’bëjnë e dërgojnë një kumt, një mesazh. Kujt ia dërgojnë e çfarë presin. Aparatet e përgjimit të mbiquajtur “princa” janë përhapur mbi qytet si ndonjë epidemi. Shpend Guraziu i vetmi fill që lidh shqiptarët me të huajt, gjen një vdekje të dyshimtë, nga një buldozer.
Frati që këshkërit formulën e pagëzimit pushkatohet në një ranishtë. Regjisorit të “Pulëbardhës” i shpifet një kancer. Suzana K. bën autokritikë duke i lënë një mbresë të mirë të dërguarit të Komitetit të Partisë. Të tjetër që lëvizin duke bërë “shët” nëpër shtëpi. Gra që thirren në degë dhe punonjës sigurimi që gërmojnë të përbaltur realisht e figurativisht për të gjetur një aparat të humbur përgjimi nëpër baltë. Kështu subjekti i afrohet një kulmi. Atij prej nga ku fillojnë simbolet. Balta e marrë së bashku me eshtrat e Shpend Guraziut dhe me aparatin e përgjimit të vendosur nga sigurimi para tre vjetësh në xhupin e tij në një nga zyrat e degës bëhet të flasë.
Ishte thirrja që Shpend Guraziu i kish drejtuar dikur delegacionit të ardhur nga perëndimi dhe që askush nuk e kuptoi tamam – tamam në ishte “ndihmë” apo… Pastaj heshtje varri. Teza për një indiferentizëm të Europës së qytetëruar ndaj Shqipërisë së terrorizuar nuk është e re për këtë autor. Kapitujt ku flitet për diktatorin dhe familjen e tij në këtë roman kanë vlerën e korridoreve. Askund nuk mund të hyhet, as në jetën e përditshme të njerëzve e as në zyrat e shtetit, pa to. Manina, verbime, shtirje, lingota ari, shpatulla veteranësh, pasqyra të hukatura, karafila nga diaspora, mbledhje të lëna përgjysmë për arsye se bëhet tepër vonë. Vetëvrasje.
Impotencë burrash, zilira grash, skematizëm e servilizëm i ngritur në kult. Dhe… ashtu siç vëmë tavolina, karrige, jastëkë për të arritur diçka majë raftit, ashtu edhe Kadare i vendos kapitujt për të arritur në pjesën e tretë të librit “Cmersi”.
Brenga e madhe e shkrimtarit për veprën me një pjesë të ngrirë midis, në pritje të një klime tjetër. Kjo brengë është e vjetër apo e re? Në këtë botë askush nuk e di çfarë është e vjetër e çfarë e re. /Vera Isaku/