Xhelil Gjoni: Kolaboracionizëm nën maskën e gandizmit

(Botuar me 6 qershor 1999 në KOHA JONE)

Nga Xhelil Gjoni-

Lajme të vërteta e të pavërteta, deklarime të dyzuara, me qortime e me dhimbje, “tradhtar” e “faqezi”, “agjent” dhe “i moderuar”, udhëheqës i “vetëm i Kosovës”, “truke dhe skena reale”, “i plagosur” dhe “i burgosur”, me një fjalë ishte seç na ishte, na ishte një herë një Ibrahim Rugova, me një shall në qafë dhe me një fjalor të kufizuar që di të shqiptojë anatema dhe opsione nga më të ndryshmet për Kosovën e në tërësi për çështjen kombëtare.

Po e nis me disa deklarata:

Të intervistuarit nga radhët e të dëbuarve me dhunë, përgjithësisht, shprehin dy opinione; njeri e paraqet si udhëheqësi i vetëm dhe i vërtetë i Kosovës, “ai asht bash kryetari i Kosovës”, tjetri thotë se ai nuk përfaqëson gjë. “Kosovën e përfaqësojnë ata që luftojnë atje”. Të tjerët që nuk dinë gjë shprehen se: “s’kemi ç’themi”.

Në ekranet televizive dhe në shtypin e ndryshëm u tha e thuhet se: Rugova u takua me Milosheviçin dhe ka nënshkruar një deklaratë ku kërkon ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë. Deklarata u dha me dy nënshkrimet. Jepen edhe sekuenca filmike të këtij takimi, të dhëna nga televizioni jugosllav. Këto i vërteton dhe vetë Rugova. Deklaratat e politikanëve të jashtëm ishin njëlloj me ato të Solanës “Të lihet Rugova në një vend jashtë Serbisë që të shprehet”. Politikanët shqiptarë, që nga ish-pushtetarët dhe ata që janë në pushtet e bashkë me ta dhe opozita u shpreh: “Nëse Rugova e ka takuar Milosheviçin vetëm me kokën e tij, atëherë ai është i papërgjegjshëm”, “nuk mund t’u besoj trukeve”, “mund t’i ketë bërë deklaratat nën efektin e dhunës fizike”, “mund të jetë truk televiziv”, “mund të jetë trajtuar edhe me medikamente”, “kjo tregon një Rugovë prapa kohe, ai ka jetuar gjithmonë nën guaskën e autoriteteve serbe, zëri i Rugovës është një zë periferie”, “ai është i arrestuar dhe nuk merret për bazë asnjë deklaratë e tij. Rugova është i burgosur politik, deklaratat e tij janë deklarata të një të burgosuri”, “Rugova nuk e mban më cilësinë e Presidentit të Kosovës pas Konferencës së Rambujesë, kur gjërat ndryshuan, në çfarëdo rrethanash që të jetë bërë është për turpin e tij, ai nuk përfaqëson asnjë shqiptar prej kohësh”. “Rugova është një lodër e Milosheviçit dhe se ai nuk përfaqëson më asgjë veçse një lider që do ta gjykojë historia”. Nuk kemi të bëjmë me truk televiziv, as me montazh, madje as me papërgjegjshmëri. Kemi të bëjmë me një fund pa lavdi, të detyruar të Rugovës, të cilin Milosheviçi dhe strukturat e për dorën si kartë të fundit në një moment delikat, për të manipuluar, për të spostuar vëmendjen” etj.

Po vetë Rugova ç’thotë?

“Unë mendoj se mund të kontribuoj më shumë nëse aktualisht punoj jashtë Kosovës”. Lidhur me takimin me Milosheviçin u përgjigj: “Unë isha në Beograd. Duhet të ndalen bombardimet e NATO-s dhe duhet vendosur një mbikëqyrje për këtë”…- tha Rugova në frëngjisht duke kundërshtuar të shprehej më qartë. “I duhet dhënë fund kësaj gjendje në Kosovë”. Ndërsa gjatë vizitave në Perëndim deklaroi: “Ika nga Kosova për të punuar dhe krijuar mundësitë për kthimin e njerëzve, sepse sot për fat të keq Kosova është e zbrazët. LDK nuk do t’i pranojë vendet që i janë ofruar në qeverinë Thaçi. Është tragjike dhe e çuditshme që të kemi në të njëjtën kohë dy qeveri të përkohshme”! Lidhur me mundësitë e bisedimeve me Milosheviçin ai tha: “kjo do të jetë e vështirë por nuk ka zgjidhje tjetër! Duhet biseduar me udhëheqësit e popullit serb” dhe “nëse në Kosovë dislokohet një forcë ndërkombëtare, ne nuk kemi nevojë për dislokimin e trupave shqiptare kosovare të armatosura”!

Edhe pse kam vënë pikëçuditëse në fund të fjalive të Rugovës qëndrimet janë të qarta si drita e diellit. Ato nuk çudisin njeri. Rugova është “celebruar” me Milosheviçin edhe pse Gjykata e Hagës e ka shpallur kriminel, si rasti i parë unikal në botë për një kryetar shteti akoma në pushtet.

Ç’del nga këto deklarata?

Gati të gjitha kanë brenda ndjenjën e keqardhjes dhe të dëshirës që të mos kish ndodhur takimi e të mos ishin bërë ato deklarime. Pra fillimisht nga disa u quajt truk propagandistik i Milosheviçit.

Pastaj u arrit në atë se është takuar dhe ka qenë i “detyruar” t’i bëjë ato deklarata. Një pjesë tjetër, duke përfshirë edhe UÇK e dënuan këtë veprim. Të gjitha këto gjykime kanë të vërtetat e tyre, por për mendimin tim nuk i shkojnë në rrënjë fenomenit “Rugova”. Dhe rrënjët e tij politike dhe sociale janë kolaboracionizmi.

Ta shohim: Problemi i parë që duhet theksuar është se kur dhe si doli Ibraim Rugova, kur u shfaq dhe si u shfaq ky fenomen?

  1. Ishin kohët, kur si rezultat i shtypjes më mizore serbe mbi kosovarët, kur organizoheshin protesta e demonstrime masive në miniera e qendra prodhimi, në institucionet shkollore, sidomos në radhët e studentëve, në qytete e zona përreth, kur mblidhej Kuvendi i Kaçanikut dhe ky aprovonte Kushtetutën e shpallte Kosovën Republikë, pra kur ishin pjekur kushtet nga poshtë e nga lart, kur populli kosovar ishte ngritur masivisht në kryengritje, por pa armë, veçse me një vrull, zemër e zemërim të paparë kundër pushtuesit dhe kur nga lart, forcat përparimtare, përpiqeshin goxha qartë me organizime për objektivat që kërkoheshin: Kosova Republikë dhe organi legjislativ i saj kuvendi ose ndryshe parlamenti i Kaçanikut, atëherë bota nuk e dëgjoi, sidomos Evropa, këtë zë të fuqishëm. Ishte parlamenti i parë pluralist shqiptar, i pari dhe i fundit, që e njohu zyrtarisht me një deklaratë rezolute, këtë fakt historik, qartë, prerë dhe hapur. Pra, në këto rrethana, në vend që kjo furtunë kosovare të ngrihej më lart, të organizohej politikisht dhe organizativisht më fortë, na lindi LDK, si një parti që s’ishte parti, sepse sipas deklarimeve të krerëve të saj, me Ibrahim Rugovën në krye, në të përfshiheshin rreth 700.000 anëtarë, pra gjithë popullata e rritur.

Ky organizim lind si një fenomen me synimin “se do t’i organizonte këto masa” kurse në fakt ky hap nuk ishte gjë tjetër veçse një plan i bekuar nga serbët e Milosheviçi për ta shuar këtë lëvizje, për ta kontrolluar situatën e për ta patur në një dorë të besuar, te një kuisling siç ishte kandidatura më e përshtatshme me emrin Ibrahim Rugova. Pamja dukej “demokratike dhe kombëtare”!

  1. Duheshin veprime të tjera për ta realizuar këtë shuarje e këtë kolaboracionizëm. Atëherë na u sajua pluralizmi partiak dhe këtë Milosheviçi e lejoi sepse kështu me një gur vriste dy zogj. E para, kështu krijohej përshtypja se në Kosovën e pushtuar ekzistonte një demokraci e gjerë, ku mbinin partitë si kërpudhat pas shiut, pra doni “të lehni”, keni klubet tuaja-parti, çirruni sa të doni! E dyta, realizohej kështu përçarja e faktorit politik kosovar-shqiptar. Dhe ç’është e vërteta kjo përçarje ishte një nga faktorët e dështimit të këtij faktori politik, por edhe një fitore e pushtuesit serb. Nëpërmjet partive, kosovarët, hëngrën njeri-tjetrin, në vend që të formonin një front unik kombëtar, pa dallim feje, krahine e ideje, me të vetmen ide, çlirimin e Kosovës, shporrjen e okupatorit.
  2. Nuk mjaftuan këto, atëherë “filozofi indian” i Kosovës, Ibrahim Rugova, na solli në Kosovë, në kundërshtim me çdo mentalitet e konstruksion shpirtëror të popullit shqiptar në Kosovë, gandizmin, por në mënyrën e formën më të zgërlaqur e më të shëmtuar. Filozofia e kësaj lëvizjeje, në kundërshtim me praktikën indiane, sipas Ibrahim Rugovës ishte: më qëllove në një faqe, urdhëro faqen tjetër. Pra përulje e nënshtrim para okupatorit serb. Kjo frymë e praktikë e theu shpirtin revolucionar të popullit të Kosovës, e nënshtroi dhe e poshtëroi atë, siç thotë akademiku Qosja e çburrëroi Kosovën, theu ndjenjat kombëtare e liridashëse të tij dhe e çoi deri në atë derexhe, që kosovarët të dergjen nëpër Evropë, pa shtet e pa vatan. Ata që mbetën i vuri serbi përpara dhe i nxori në Shqipëri e shtete të tjera për të provokuar një luftë, minimalja ballkanike.

Rugova dhe gandizmi i tij e çarmatosi popullin kosovar shpirtërisht, i theu besimin në vete, nanurisi masat deri në atë shkallë sa u mbylli edhe gojën. Të gjithë u habitëm atëherë kur Rugova, hoqi dhe parullat në manifestime. Dilnin njerëzit nga një gjysmë ore në Prishtinë pa folur, pa bërtitur, pa parulla, me qiri në dorë, kokën ulur, pa i prishur qetësinë agait é beut serb dhe pa i hyrë atij një gjemb në këmbë. Ky ishte kulmi i talljes me një komb të robëruar duke i mbyllur atij dhe gojën e duke e bërë memec. Ky nuk ishte më gandizëm, por kolaboracionizëm i kulluar i kuislingut me shall, Ibrahim Rugova, dhe nëpërkëmbja më e keqe e dinjitetit kombëtar dhunimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.

  1. Synimet dhe planet kanë qenë më të hershme, më të thella, më të gjera, të menduara jo vetëm nga Ibrahim Rugova e të tjerë shqiptarë në Kosovë e këtej në vendin amë, në Shqipëri, as vetëm nga Jugosllavia, por edhe nga fuqitë e tjera të interesuara për Shqipërisë si në Ballkan ashtu dhe më larg. Pas gandizmit të tij me popullin e Kosovës vinte parulla e Ibrahim Rugovës “Të dekomunistizohet dhe të demokratizohet Shqipëria që të çlirohet Kosova”, siç thoshin disa të tjerë këtej kufirit”, të çlirohet Tirana pastaj çlirohet kollaj Kosova”!?.., ide këto të Titos e Milosheviçit, por edhe të rusëve.

Mendimi i këtyre forcave ishte se “Shqipëria komuniste mund të shkatërrohet vetëm nëpërmjet Kosovës dhe kosovarëve”. Mënyrat e tjera si mosnjohja, dërgimi i bandave, bllokimi ekonomik e politik, dyndjet në ambasada etj., që lidhen me agjenturat e huaja ku në krye qëndronte UDB, kishin qenë të paefektshme. Edhe ushtarakë të veshur civilë erdhën nga Beogradi në Tiranë me petkun diplomatik. Pra planet bëheshin që Kosova “të demokratizojë e dekomunistizojë” Shqipërinë, por edhe ta thithë duke e shndërruar bashkë me Kosovën në republikë brenda Federatës Jugosllave ose në dy kantone Veri-Jug, me president kosovar dhe në krye të ekzekutivit një shqiptar nga shteti amë! Boll sundoi Jugu, radhën e ka Veriu”. Ky ishte plani Sllavomadh-Jugosllav e Rus për të dalë mirë në Adriatik, nga Tivari deri në Butrint, nëpërmjet aleancave sllave e ortodokse.

Këtu amerikanët i thirrën mendjes! Një dalje kaq fortë e Jugosllavisë në Adriatik ishte një dalje edhe e Rusisë. Ky ishte rrezik real për SHBA dhe aleatët e vet. Atëherë Amerika e pa se në këtë plan “kosovar” të këtij lloji rrezikoheshin interesat thelbësore të saj, e pa se Italia, të cilës iu la në patronazh Shqipëria, nuk kishte këllqe për ta përballuar këtë plan dhe hyri vetë në valle. Operacioni italian “Pelikan”, i cili në fillim erdhi për të sjellë ndihma humanitare edhe pse më vonë iu ngarkuan detyra militare për të kontrolluar e drejtuar ushtarakisht Shqipërinë, iu vunë bërrylat dhe e mori SHBA drejtimin ushtarak duke u futur në Shqipëri në kuadrin e NATO-s. Si rrodhën më vonë punët e dimë të gjithë.

Prirjet politike të dyfishta filluan të zbulohen nëpërmjet qëndrimeve e veprimeve konkrete në Shqipëri në favor të ustallarëve jashtë. Filluan të na shfaqen proserbizmat me parulla të hapura: “Të çlirojmë njëherë Tiranën pastaj çlirohet kollaj Kosova” se, “nënshkrimi i Rambujesë do të jetë një tradhti kombëtare”, “nuk njohim qeverinë Thaçi” etj. Se Rugova dhe bukuroshi Bukoshi na paskan biseduar me presidentin Klinton se për Kosovën dhe Shqipërinë është mirë të jetë në krye ky apo ai, jo të tjerë”, pavarësisht se Klintoni u paska dhënë përgjigjen se “ujërat nuk kalojnë për së dyti në të njëjtin breg” etj. Doli prirja frankofone që për hir të saj u lanë 70-80 xhenaze dhe tragjedia e Otrantos për të fluturuar deri në Lindjen e Largët Aziatike. Kurse Italia xheloze e brekërënë arriti të caktojë se kush duhet të jetë kryeministër në Shqipëri. Nostalgjitë anglosaksone e bavareze-austriake kanë filluar të gjallërohen, filogreqizmi ortodoks është bërë më prezent e më i fortë se kurrë. Pra në Shqipëri, po dhe në Kosovë, nuk gjykohet më me kokë kombëtare po me kokë të huaj, të gjithë çirren për kombin, por të gjithë janë vërsulur si çakej për ta shkombëtarizuar atë.

  1. E famshmja “Marrëveshje për arsimin” e nënshkruar drejtpërsëdrejti nga Rugova dhe Milosheviçi me ndërmjetësimin e priftërinjve katolikë italianë nuk u botua asnjëherë, por ishte sa për sy e faqe, ishte një hap tjetër në kolaboracionizmin e Rugovës me Milosheviçin dhe okupatorin serb.
  2. Kolaboracionizmi i Rugovës, ka edhe më për “Belulin.

Ta pranonte, edhe pse ishte i mbaruar, i ikte ofiqi edhe formalisht si president. Të mos e pranonte demaskohej përpara popullit kosovar dhe opinionit botëror si kolaboracionist që kishte gjetur strehë në “serën” e ngrohtë serbe ashtu siç i doli bllof etiketimi që u pat bërë çlirimtarëve e patriotëve të UÇK, si “terroristë”, “të futur, nxitur e organizuar nga UDB”. Pra ish mbledhur laku, u dogjën kartat, sepse UÇK fitoi bujshëm si forca reale që kishte marrë në dorë çështjen e Kosovës, pa të cilën nuk kish vlerë asnjë marrëveshje, asnjë tryezë bisedimesh. Jo vetëm kaq, por bota pranoi që delegacionin kosovar ta drejtonte udhëheqja e UÇK, ashtu siç u ra dakord që qeverinë e përkohshme ta propozonte si kryeministër Thaçi së bashku me LDK, partinë e akademikut Qose dhe të pavarurit. Ndërsa faktorët e tjerë ranë dakord e sugjeruan kandidaturat e veta, vetëm LDK e Rugovës dhe e Bukoshit nuk çuan kandidaturat e tyre. Po kësaj ç’i thonë? A nuk është ky qëndrim megaloman, përçarës dhe në shërbim të kolaboracionizmit të Rugovës me pushtuesin serb? Kujt i shërben ky qëndrim? Vetëm çështjes kosovare e kombëtare jo.

  1. Si gjithë faktorët e tjerë kosovarë edhe Rugova u ftua nga Tirana zyrtare për të biseduar rreth unifikimit të pikëpamjeve dhe vajtjes NJE në Rambuje. Të gjithë të tjerët erdhën, zoti Rugova nuk e pa të arsyeshme të vijë (atëherë nuk ish etiketuar). Po kjo kujt i shërben? Vetëm çështjes kosovare e kombëtare jo. Duhet të shkosh me logjikën e Ibrahim Rugovës që, kur e gjithë Kosova, është shkulur me “maç e me minj” dhe ardhur në Shqipëri, se këtu e ndjejnë veten më ngrohtë e më të qetë, se vëllezërit e tyre kanë hapur zemrat e shtëpitë e kanë ndarë kafshatën me ta, zoti Rugova e sheh më të arsyeshme të kërkojë leje serbe që të qëndrojë në Shkup, duket në pamundësi, shkoi në Itali tek antishqiptari Dini, miku i ngushtë i Milosheviçit. Dhe në vend që të vinte t’i falej popullit të vet në Shqipëri që e robtoi dhe e ktheu në popull muhaxhir, shkoi të “shlyejë” mëkatet në meshë te Papa. Myslimani me çallmë na u kthye në katolik fantastik! Çfarë demagogjie luhet në emër të Zotit! Po kësaj ç’i thonë? Tangërllëk, fodullëk apo qëndrim politik? Të gjitha së bashku edhe qeros dhe fodull, se kur u kthye nga Parisi ku nënshkroi marrëveshjen nuk begenisi të takojë Presidentin e Shqipërisë edhe pse ky i fundit doli për ta pritur në aeroport. Po kësaj çfarë i thonë? “për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë” Sllobodan.

Dhe vijmë tek fillimi i këtij shkrimi tek deklaratat e politikanëve të ndryshëm që cituam: Është truk, s’është truk, është peng, s’ishte peng, është detyruar, s’është detyruar, është tradhtar, s’është tradhtar, është i papërgjegjshëm, s’është i papërgjegjshëm, është i droguar, s’është i droguar, është faqezi e jo faqebardhë. Me një fjalë, e lagu se lagu. Kurse ai jo vetëm i kishte lagur, por edhe i kishte mbushur. Dhe këto të gjitha i pohon vetë me gojën e tij. “Të pushojnë bombardimet, “mbeta pa popullin tim dhe shokët e mi”. Harroi se popullin e la në rrugë, në mëshirë të fatit, kurse shokët një pjesë i vranë serbët, një pjesë nuk dihet ku i kanë kockat, një pjesë u futën në popull dhe dolën në mërgim e janë bërë memecë, kurse pjesa tjetër lufton dhëmbë për dhëmbë me okupatorët dhe spiunët “bie me lavdi në fushën e betejës”. Kurse bashkëbiseduesit okupatorë serbë të Rugovës, nga ana tjetër deklaronin se “në takimin Rugova-Milosheviç është rënë dakord të fillojnë diskutimet për të arritur një marrëveshje politike për dhënien e krahinës së një autonomie më të gjerë”.

Takimet u zhvilluan në Prishtinë, thonin agjencitë, në selinë e qeverisë serbe. Morën pjesë edhe Nikolla Shainoviç, zv/kryeministër jugosllav dhe Ratko Markoviç, zv/ kryeministër serb. Sipas deklaratës, të dy presidentët “e gjykuan të domosdoshme fillimin e intensifikimit menjëherë të diskutimeve të filluara midis qeverisë së Serbisë dhe udhëheqësve politikë të partive shqiptare të Kosovës”. Kjo do të thotë se Rugova bisedon me okupatorët, por nuk pranon të bisedojë me “terroristët” e UÇK. Vuk Drashkoviç, ish-krahu i djathtë i Milosheviçit, pavarësisht nga gjestet opozitare që shfaq, pati deklaruar se ata “serbët, pra Milosheviçi dhe ai, ishin dakord të nisnin bisedimet me përfaqësuesit e ligjshëm të shqiptarëve të Kosovës, “ pra me Rugovën dhe Bukoshin”!

Milutinoviçi, presidenti i Serbisë, ish-ministër i jashtëm i Federatës së mbetur garantoi se “do të njihte qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeministrin në mërgim, Bukoshin. Po këto ç’do të thonë? A nuk tregojnë se okupatorët serbë janë të gatshëm të bisedojnë me kolaboracionistët e kuislingët, sepse me të vërtetë pa ta, ata janë “të ligjshëm”, se me ta kanë rënë në ujdi. Dhe pas këtyre a nuk kemi të drejtë të mendojmë se orekset e Bukoshit dhe Rugovës pas këtyre takimeve me okupatorët në Beograd dhe Prishtinë u shtuan dhe u rritën, duke i deklaruar lart e poshtë Evropës se qenkan “President” dhe “Kryeministër” të “legjitimë”. A nuk bie erë të qelbur në këtë mes? Vetëm bufi nuk e kupton këtë aleancë kolaboracionistësh me okupatorin, edhe pse dikush deklaron: “unë nuk di që aktualisht në Kosovë të ketë ndonjë parti të tillë kolaboracionsite (“Spektër”-Prill 1999).

  1. Tani marrim vesh se Rugova në fillim zgjodhi Gjermaninë për të jetuar familjarisht dhe së fundi paska vendosur për në Itali. Është punë e tij. Mirë ka bërë, ia çon dhe dera. Siç ka deklaruar vetë në një intervistë autobiografike rrjedh nga “një derë e madhe e Xhafer Devës”, nipi i të cilit “na qenka” dhe si i tillë paska vuajtur nga regjimet. Në Shqipërinë e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Xhafer Deva njihet mirë, e njeh mirë Shkodra, Tirana e Vlora për bëmat dhe masakrat që ka kryer nën qeverinë kuislinge të nazifashistëve. 4 Shkurti i Tiranës, ku brenda natës u vranë e masakruan 74 djem e vajza të nënave tiranase, mbahet mend si një nga gjëmat më të mëdha të Xhafer Devës. Nuk i thonë kot se pema nën pemë bie. Përfundimisht, ç’është ky rrufjan politik që i jep “të drejtë” vetes për të bërë gjithçka vetë, por për të mos mbajtur për asgjë përgjegjësi?! Ç’është ky njeri enigmë e hije, që siç thotë Arbër Xhaferi, nuk di as të qajë as të qeshë?! Ç’është ky Raxh Kapur indian që vetë bën një mijë e një pelivanllëqe dhe nuk i hyn një gjemb në këmbë?! Nuk është asgjë tjetër veçse një kuisling në shërbim të pushtuesit serb, që bashkëpunon me të kundër lëvizjes nacionalçlirimtare të popullit të vet. Ai nuk është gjë tjetër veçse një kolaboracionist që bashkëpunon me okupatorin dhe u ka vënë shkelmin interesave të kombit e të vendit të vet. Ai nuk është gjë tjetër veçse siç shprehet Ismail Kadare, një lodër e Milosheviçit, një lider që do ta gjykojë historia. Prandaj në historinë e ardhshme ai nuk duhet të jetë. Boll më. Sot duken shqiptarët dhe antishqiptarët dhe jo kur të mbarojë lufta. Të thuash kështu është njëlloj si “të bëhesh i mençur pas kuvendit”, apo të “nxjerrësh shpatën pas betejës”.

 

SHKARKO APP