Ylli Manjani: Korrupsioni dhe monopolizimi i drejtësisë
(Botuar me 29 qershor 1999 në KOHA JONE)
Nga Ylli Manjani-
Zhvillimet e sotme në Drejtësinë Shqiptare po ndodhin me ritme mjaft të shpejta. Natyrisht që këto zhvillime kanë nevojë për mendjet intelektuale të juristëve, të cilët përgatiten nga fakultetet e Drejtësisë. Në raport me nevojat e tregut të punës, arsimi ligjor ka bërë hapa pozitivë sasiorë, në këto 8 vitet e fundit. Pothuajse mbi 1000 deri në 1500 studentë në vit janë diplomuar vetëm nga fakulteti i Drejtësisë në Tiranë. Nuk mjaftoi kjo por u hapën fakultete Drejtësie edhe në Shkodër dhe Elbasan, nga ku dalin juristë të cilët vazhdojnë të shtojnë ofertën për tregun e punës. Nga ana tjetër, Drejtësia Shqiptare dhe në përgjithësi jeta juridike e shoqërisë sonë është mjaft e varfër dhe pothuajse pa alternativa. Logjika e do në këto raste, pra, kur oferta për punë është më e madhe se kërkesa, atëherë si rezultat i konkurrencës, punët duhet të shkojnë mirë, ndërsa në fakt ndodh paradoksi, pra, rritet numri i juristëve nga njëra anë dhe nga ana tjetër mungon konkurrenca. I gjithë ky burim njerëzor nuk arrihet të vihet në eficensë dhe kjo vjen nga shumë faktorë:
Së pari, ky paradoks është i lidhur ngushtë me një mentalitet frenues që në shoqërinë tonë është prezent. Transformimet drastike që pësoi ekonomia dhe shoqëria sollën ballafaqimin e dy mentaliteteve, atë të integrimit në një shoqëri demokratike të lirë nëpërmjet konkurrencës së ndershme, dhe mentalitetin oriental të të ardhurave nga mrekullitë. Kjo është kontradikta kryesore që e ka vënë në kushtet e ndryshimeve shoqërinë tonë. Fatkeqësisht, ana e dytë e medaljes, ajo e “mrekullive” që zakonisht quhen “pisllëqe”, triumfoi mjaft. Mjafton të kujtohen “piramidat” dhe besoj se plotësohet mjaft kuadri i argumenteve në këtë çështje. Natyrisht edhe juristët janë pjesë e kësaj shoqërie dhe pjesë e këtij mentaliteti. Kështu shpjegohet edhe tendenca e komercializmit të drejtësisë e shprehur nëpërmjet përhapjes masive të marrjes së ryshfeteve përkundrejt “punës së kryer”. Më vonë u kalua nga praktika e bakshishit në atë të “vënies së gjobave” për punë që do të kryheshin.
Pra, njerëzit filluan të blejnë drejtësinë e tyre. Dalëngadalë kjo gjë u bë rregull moral aq i fortë saqë do ta kishte zili çdo normë ligjore, për nga fuqia detyruese. Kështu lindi korrupsioni në drejtësi. Mirëpo korrupsioni sjell edhe “monopolizimin” e vendeve të punës për njerëzit që paguajnë duke stimuluar konkurrencën e pandershme. Në këto kushte, nëse dikush kujtohet të luftojë këtë fenomen duke nxjerrë ligje të rrepta apo duke zbatuar me korrektësi ligjet ekzistuese, duhet të llogarisë se do të ketë mjaft probleme për të zgjidhur dhe më kryesori, për mendimin tim, çrrënjosja e mentalitetit që është krijuar tashmë. Praktika e heqjes nga puna apo transferimit, e aplikuar deri më sot, ka provuar dështimin e plotë të saj, natyrisht për mënyrën se si është përdorur. Ajo nuk ka bërë tjetër veçse ka rritur çmimin e korrupsionit për të fituar një vend pune, sidomos në administratën fiskale, polici, organet e drejtësisë, dhe vende të tjera me rëndësi “strategjike”. Të njëjtat pasoja ka sjellë edhe denoncimi për ndjekje penale, testimi profesional etj., masa të tjera si këto që kanë dështuar përballë mentalitetit frenues.
Fakulteti i drejtësisë i politizuar
Paradoksi i mësipërm justifikohet me dobësitë e arsimit ligjor në formimin e juristëve. Tashmë është vërtetuar plotësisht se ky arsim ka dështuar në realizimin e misionit kryesor të tij, pra, në transmetimin e dijeve tek brezat e rinj. Po të bësh një analizë empirike të institucioneve kryesore të këtij arsimi do të vëresh me keqardhje se mësimdhënia është mjaft e cunguar. Kjo për disa arsye.
Së pari, për arsye të ndryshme, të justifikuara apo të pajustifikuara, në këto 8 vjet janë larguar një numër i madh pedagogësh me eksperiencë në jurisprudencë. Së dyti, programet mësimore nuk arritën të transformohen në përputhje me nevojat e kohës. Edhe ato pak ndryshime, që janë bërë shpesh janë mjaft formale dhe shumë rrallë substanciale. Nëse në drejtim të përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, mund të themi se ka tashmë një praktikë të mirë, me ngritjen e shkollës së magjistraturës, në drejtim të përgatitjes së juristëve për fusha të tjera, fakultetet kanë dështuar. Kështu, p. sh. juristët tanë nuk kanë njohuri mbi menaxhimin publik, apo mbi diplomacinë dhe në përgjithësi mbi të drejtën ndërkombëtare.
Së dyti, Fakultetet e Drejtësisë nuk veprojnë mbi standarde por mbi kritere politike. Këtë gjë e tregon më së miri hapja e pastudiuar e dy fakulteteve të drejtësisë fillimisht në Shkodër dhe pastaj në Elbasan. Gjithashtu stimulimi i ndjekjes së studimeve me korrespondencë, apo edhe praktika e kurseve 9-mujore.
Së treti, me rritjen e numrit të studentëve infrastruktura e fakulteteve është e pamjaftueshme. Imagjinoni që në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë janë në dispozicion vetëm 11 salla mësimi për rreth 1500 studentë dhe konkluzioni është i qartë. Me të njëjtat probleme janë edhe Fakultetet e Shkodrës dhe të Elbasanit.
Së katërti, metodat e mësimdhënies janë mjaft të vjetra, gjë që ka sjellë një shkëputje totale të asaj pak teorie me praktikën e përditshme. Juristët e kanë mjaft të vështirë të punojnë me komunitetin. Vështirë të gjesh një jurist që të shpjegojë qartë dhe në gjuhë të thjeshtë ato çfarë thotë ligji. Pra, është krijuar një shkëputje ndërmjet tyre dhe njerëzve të thjeshtë, pikërisht për shkak se metodologjia e marrjes së dijeve në shkollë ka qenë mjaft e vjetër. Pra, background-i arsimor i juristëve duhet marrë gjithmonë me rezervë.
Drejtësia pa menaxherë
Drejtësia Shqiptare nuk vuan shumë për gjyqtarë apo prokurorë, por për menaxherë. Në fakt këtu duhet kërkuar edhe çelësi i zgjidhjes së paradoksit, ndërmjet numrit të madh të juristëve dhe mungesës së konkurrencës. Dobësitë në menaxhimin e drejtësisë vijnë kryesisht për këto arsye: a. Mungesat në legjislacion dhe paqartësia në hartimin e tij. Sidomos kjo e fundit është mjaft problematike, pasi tregon mungesë vizioni për të ardhmen. Në praktikën tonë administrative ndeshesh me një xhelozi të pakuptueshme në hartimin e ligjeve. Shpesh procesi i hartimit të ligjeve, i cili duhet të jetë më publiku i të gjithë aktivitetit qeverisës të shtetit, mbyllet kur dëgjon fjalët “projektligji jonë” apo “legjislacioni jonë”, a thua se këta janë pronarët e tyre. Nga ana tjetër, edhe kur kërkohet zyrtarisht oponenca e një projektligji ajo shpesh bëhet me mllefe dhe pa përgjegjësi. Shpesh, ka një mosrakordim ndërmjet punëve të institucioneve shtetërore dhe OJQ-ve. Që të dyja palët veprojnë duke besuar për njëri tjetrin se “nuk bëjnë as gjë”, apo se “nuk dinë të punojnë por vetëm marrin para” etj.
- Pamjaftueshmëria e mjeteve financiare për të përballuar nevojat në rritje. Ky është një shkak universal që i takon të gjitha sistemeve të drejtësisë madje edhe në vendet më të zhvilluara.
- Mungesa e një tradite në menaxhimin e drejtësisë. Edhe atë pak praktikë menaxhuese që trashëguam nga e kaluara praktika e sotme e ka hedhur poshtë me të drejtë. Kushtetuta e re tashmë ka profilizuar konceptet bazë të menaxhimit të drejtësisë në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve. Tashmë ka mbetur që parimet bazë të kushtetutës të reflektohen edhe në ligje të tjera.
Si mund të dilet nga kolapsi?
A ka rrugë për të dalë nga ky kolaps? Në rastin konkret duhen pranuar disa zgjidhje.
Më poshtë do të përpiqem të paraqes mendimin tim për rrugët e mundshme të çlirimit të drejtësisë nga këta vargoj të së keqes.
- Stimulimi i vetorganizimit të komunitetit të juristëve në përputhje me standardet bashkëkohore. Krijimi i shoqatave të juristëve të praktikës do të shërbejë si një premisë e mirë për të luftuar të keqen dhe për të krijuar një moral të ri larg frymës së frenimit. Unë besoj se izolimi moral që mund t’u bëhet individëve që bëjnë korrupsion në drejtësi, nga ana e grupit (flas në kushtet tona pasi personalisht nuk e pëlqej këtë frymë) është shumë më i rreptë se sanksioni më i rëndë që parashikojnë ligjet. Gjithë problemi është se sa në pozita pune do të vendosen këto organizime. Kushtetuta ka hedhur idenë e një konference gjyqësore. Unë mendoj se kjo ide duhet zbërthyer më tej nëpërmjet ligjeve të tjera me qëllim që të kemi një asosacion modern që do të krijojë moralin e ri. Konferenca gjyqësore duhet të ketë edhe atribute të tjera, përveç sa kërkon kushtetuta.
- Kualifikim i vazhdueshëm i juristëve që punojnë në organet e drejtësisë. Kjo bëhet imperative po të kemi parasysh se ligjet ndryshojnë çdo ditë, për pasojë interpretimi i tyre bëhet gjithnjë e më i vështirë. Përveç kësaj praktika jonë gjyqësore po ballafaqohet me zgjidhje konfliktesh krejt të panjohura më parë.
- Përpilimi i një strategjie për stimulimin më të mirë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në përputhje me ngarkesën e punës dhe drejtësinë e dhënies së vendimeve. Kjo do të kërkonte një angazhim maksimal të strukturave përkatëse për përcaktimin e saktë të numrit të gjyqtarëve, ndarjen e tyre në gjykata, shpërblimin e tyre etj.
- Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht me gjithë forcën e tij në zbatimin e vendimeve të gjykatave që kanë marrë formë të prerë. Kjo do të kërkojë një pozicion të ri të zyrave të përmbarimit gjyqësor, në përputhje me kërkesat e kohës dhe të përvojës së arritur deri tani.
- Marrja e masave të rrepta për elementët e korruptuar, që jo vetëm kryejnë krim por prishin edhe imazhin e organeve të drejtësisë. Mendoj se inspektorët e KLD duhet të kenë si detyrë prioritare krijimin e një baze të dhënash për secilin gjyqtar mbi vendimet që i prishen në gjykatën e apelit dhe atë të lartë. Kam qenë dhe jam i mendimit se testimi më i mirë për një gjyqtar apo prokuror është praktika e tij. Kriteri kryesor në përcaktimin e aftësisë profesionale të gjykatësve duhet të jetë, në radhë të parë fakti se sa janë respektuar procedurat në dhënien e vendimit. Në rast se vendimi i marrë nga gjykata e shkallës së parë, prishet në shkallë të dytë, për shkelje të procedurave, atëherë profesionalizmi i këtyre gjyqtarëve duhet vënë në pikëpyetje serioze, në rast se kjo përsëritet atëherë kemi të drejtë të mendojmë se gjyqtari është i paaftë. Kjo nuk do të thotë se prishjet e vendimeve për interpretim të gabuar të ligjit substancial nuk duhet të shërbejnë si kriter për përcaktueshmërinë e aftësitë profesionale të gjyqtarit, por kjo duhet marrë me rezervë pasi çështja e interpretimit të ligjit substancial është edhe çështje e bindjes së brendshme të gjyqtarit. Natyrisht këtu nuk bëhet fjalë për dhënie vendimesh haptazi të padrejta.
- Duhen marrë masa për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kjo gjë tashmë sipas Kushtetutës i takon Gjykatës së lartë, e cila më së fundi, është formatuar si një përfaqësuese realisht e pushtetshme në ushtrimin e pushtetit gjyqësor.