Sylvinho: Muçi një “dhimbje koke” pozitive, moment i rëndësishëm për Kombëtaren

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli sot para medieve në prag të ndeshjeve kundër Çekisë dhe Ukrainës, që do të luhen në “Air Albania”. Strategu brazilian e ka cilësuar si “dhimbje koke” pozitive faktin që Ernest Muçi po kalon një formë shumë të mirë.

“Kam 28 lojtarë, por shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me karton të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Vendosëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë gri. Kemi folur me doktorët, me klubet, edhe Stesina, duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të merren, të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo.

Padyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Vjen Gjeorgjia dhe na mund, shkojmë ne atje dhe e mundim. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier League, janë të fortë. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë.

Sulmi? Një dhimbje kokë për një trajner është gjithmonë e mirë, gjithmonë. Ky është një moment i rëndësishëm për Kombëtaren, për vendin. Të kesh një grup të tillë dhe të mbërrish në fund i gjallë është i rëndësishëm. Ukraina është e fortë, Gjeorgjia është e fortë se ka bërë një Europian të mirë dhe Çekia është e fortë se është e para. Në këtë moment Manaj, është prej dy javësh pa luajtur, ai ka shënuar dhe është dëmtuar, nuk luan prej 14 ditësh. Bare ka marrë një goditje e nuk luan prej 13 ditësh. Ne sa më shumë lojtarë të fortë të kemi, na jep shtysë të shkojmë para.

Muçi është në një moment të mirë, ka shënuar në tre ndeshje radhazi, jam i lumtur për të dhe për të tjerë, Bajrami po bën shumë mirë te Rangers. Pastaj shohim shumë të tjerë. Muçin një muaj më parë e kam vizituar, askush nuk e  di, nuk ishte moment i mirë për të.

Kjo është puna, të dalim e të shohim, t’i takojmë, të pimë kafe, ta dëgjojmë, ta përqafojmë. Janë momente të vështira, një transferim si i Muçit është i vështirë se ndryshojnë shumë gjëra, gjuha, zakonet. Për mua dhimbja e kokës është shumë e mirë, sa më shumë lojtarë në formë të kemi, aq më mirë”, deklaroi Sylvinho.

 

SHKARKO APP