Balla: KiE udhëheqës i rëndësishëm për reformat, të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara

Në Tiranë u mbajt sot mbledhja e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pas daljes së Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim dhe vendosjes në proces post-monitorimi.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla përshëndeti punimet e këtij takimi në emër të Kryeministrit Edi Rama, ku theksoi se, “ky takim shënon një hap të rëndësishëm, ashtu sikurse Shqipëria ka kaluar nga faza e monitorimit në fazën e pas monitorimit”.

Balla tha se “është bërë një përparim shumë i madh, por ky është një moment për të kujtuar edhe përgjegjësitë tona, teksa vijojmë të konsolidojmë institucionet tona demokratike”.

Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në KiE, që në vitin 1995 ka qenë një gur themeli për udhëtimin demokratik të vendit.

“KiE ka qenë një udhëheqës i rëndësishëm në reformat që kemi ndërmarrë në fushën e gjyqësorit, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër korrupsionit. Por ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara”, nënvizoi ai.

Balla tha se, lufta kundër korrupsionit vijon të jetë një prioritet për qeverinë shqiptare.

Balla tha se, “reforma e gjyqësorit, përfshirë vetingun, kanë treguar që janë të rëndësishme në rritjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë”.

“Krijimi i Ministrisë së Shtetit për Administratën publike dhe antikorrupsionin, në janar 2024, tregon qartë angazhimin e fortë të qeverisë për të adresuar çështjen e korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës publike. Institucionet si SPAK dhe BKH, janë krijuar dhe tashmë po japin rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë”, tha Balla.

Ai vuri në dukje përparësinë e qeverisë për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

“Nën drejtimin e Kryeministrit Rama kemi punuar pa pushim për të përshpejtuar politikat tona kombëtare me normat dhe politikat europiane, përparimin e reformave të gjyqësorit për të siguruar shtetin e së drejtës, zgjerimin dhe rritjen e integritetit institucional, nxitjen e qeverisjes së mirë duke zbatuar reforma gjithëpërfshirëse në administratë, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut përmes masave legjislative”, deklaroi Balla.

Synimi i qeverisë është integrimi i Shqipërisë në BE deri në 2030, dhe kjo sipas tij, është dizenjuar në detyra konkrete.

Ai tha se, “vizioni i qeverisë që Shqipëria të anëtarësohet në Europë deri në 2030, është përkthyer në masa konkrete në çdo drejtim. Janë 761 rekomandime nga Komisioni Europian nga të cilat 390 kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Sa i takon masave, janë 548 në total, 77 prej tyre janë të lidhura me luftën kundër korrupsionit dhe janë 32 institucione të pavarura që duhet të zbatojnë këto masa”.

“Gjatë kohës që Shqipëria ecën drejt integrimit në BE, angazhimi ynë për vlerat e Këshillit të Europës bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Ne e shikojmë dialogun pas monitorimit si platformën për përmirësime të mëtejshme dhe mekanizëm për të integruar me tej tek ne, kuadrin legjislativ europian”, u shpreh Balla. /j.p/

SHKARKO APP