Balla takim me punëtorët shqiptarë në Toskana: Shpresojmë të arrijmë marrëveshjen për njohjen e pensioneve!

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht drejtues politik i PS-së për Diasporën, së bashku me Presidentin e Institutit Kombëtar Italian për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Punëtorëve, Giuliano Zignani, u takua me përfaqësues italianë dhe shqiptarë të sindikatave të punëtorëve në Firence.

Në takim u diskutua mbi rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në Toskanë, një nga më të mëdhatë dhe më dinamiket në Itali, me një popullsi të vlerësuar midis 50,000 dhe 60,000 personave.

“Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për të trajtuar sfidat me të cilat përballen emigrantët shqiptarë dhe për të nënvizuar rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve që i mbështesin ata”, theksohet në njoftim.

Gjatë vizitës në zyrat e UIL Toscana dhe ITAL UIL ku pati mundësinë të takohej me punonjës shqiptarë dhe italo-shqiptarë që kontribuojnë në këto organizata të rëndësishme, Balla e cilësoi  komunitetin shqiptar në Itali një histori suksesi.

Marrëveshja për pensionet Shqipëri-Itali ishte një nga temat e diskutimit. Ministri Balla u angazhua për të siguruar që zbatimi i saj të jetë sa më efikas, duke shmangur burokracitë dhe duke garantuar përfitimet për të gjithë përfituesit.

“Dua gjithashtu të falënderoj qeverinë italiane, me të cilën bashkëpunojmë çdo ditë, dhe gjithashtu parlamentin italian, pasi shpresoj që deri në Pashkë të përfundojmë marrëveshjen për pensionet, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme”, tha ndër të tjera ministri.

Një temë tjetër e  rëndësishme e takimit ishte diskutimi mbi integrimin europian të Shqipërisë dhe roli që luan diaspora shqiptare në këtë proces. Ministri Balla theksoi se emigrantët shqiptarë janë ambasadorë të Shqipërisë në Itali dhe në gjithë Europën, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për ndërtimin e një imazhi pozitiv të vendit. Integrimi europian, sipas tij, “është një proces tashmë i pandalshëm dhe në vitin 2030 Shqipëria do të jetë anëtare e familjes europiane”.

“Një pikë tjetër që dëshiroj të theksoj në këtë ndërhyrje është marrëdhënia e ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë. Italia mbetet gjithmonë avokati ynë në rrugën drejt integrimit europian. Siç thotë gjithmonë Kryeministri Rama, ne jemi të bindur se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, do të përfundojmë marrëveshjen e anëtarësimit deri në vitin 2027, dhe nga 2027 deri në 2030 do të jetë periudha e ku parlamentet e vendeve anëtare të BE-së do të duhet të miratojnë marrëveshjen e anëtarësimit”, deklaroi ministri Balla.

Sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, ku kërkohet pjesëmarrja sa më e madhe e diasporës shqiptare, Balla tha se angazhimi i komunitetit shqiptar në Itali është tepër i rëndësishëm.

“Është shume e rëndësishme që komuniteti shqiptar që jeton këtu në Firence të marrë pjesë në këtë proces, pasi ku ka pjesëmarrje të lartë ka një demokraci të fortë”, u shpreh ministri.

Në fund të takimit u promovuan produktet tradicionale shqiptare dhe toskane, si një shenjë e bashkëpunimit të ngushtë midis dy kulturave dhe dy vendeve.

 

SHKARKO APP