Përmbyllet dhënia e titujve të pronësisë në Himarë, Rama: Do të vazhdohet me tokat bujqësore

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Himarë, ku përmbyllet sipas zotimit të marrë, dhënia e titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara.

“Sot jemi këtu për të përmbyllur atë që morëm përsipër bashkë me Vangjelin që brenda vitit të gjitha shtëpitë e trashëguara të kenë tapinë dhe të jenë të hipotekuara”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ky proces nuk ka qenë dhe nuk është aspak i lehtë.

Po ashtu, Rama theksoi se do të vazhdohet me AMTP-të, që janë një tjetër sfidë më vete si rezultat i problematikës që e ka, pasi zona e Himarës, ashtu si dhe disa zona të tjera të Shqipërisë kanë pasur probleme të trashëguara si rezultat edhe i mungesës së azhornimeve dhe shumë mbivendosjeve.

Kryeministri vlerësoi se “merita e meritave në këtë punë i takon vetëm Vangjel Tavos”.

“Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë atë që pritej prej shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohën e mëparshme ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jashtëzakonshëm procesit”, shtoi Rama.

Rama po ashtu u tha banorëve të Himarës se me kryebashkiakun Vangjel Tavo zgjidhin hallet e tyre. “Keni kapur Vangjelin e duhur, mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë. Po qe për sherr është një Vangjel tjetër, atë mbajeni larg”, u shpreh Rama.

SHKARKO APP