Kryeministri i Groenlandës distancohet nga Danimarka, shikon nga Trump! 57 mijë banorët e ishullit duan jetë me të mirë

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën e vendeve aleate me të cilat ai ka mospajtime para se të marrë detyrën më 20 janar.

Në një komunikatë ku njoftoi emërimin e ambasadorit të tij në Danimarkë, zoti Trump shkroi se, “për qëllime të Sigurisë Kombëtare dhe lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Groenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Por ndërkohë duket se nga vetë popullsia e Groenlandës ka filluar një lëvizje shkëputje nga Danimarka.

Të shmangim “prangat e kolonializmit”: Me fjalë të qarta si asnjëherë më parë kryeministri i Groendlandës Egede u shpreh për pavarësinë nga Danimarka.

“Ka ardhur koha, që ne të ndërmarrim një hap dhe të formësojnë të ardhmen tonë”, tha kryeministri i ish-kolonisë daneze Mute Egede, në fjalimin e tij me rastin e vitit të ri.  Kjo vlen edhe sa ka të bëjë me kë bashkëpunon ngushtë Groenlanda dhe cilët do të jenë partnerët e saj tregtarë. Vitet e kaluara në Groenlandë ka fituar forcë lëvizja e pavarësisë, por deri tani kryeministri ka qenë më i rezervuar lidhur lidhur me këtë temë. Pak para kësaj nisme të Egedes, presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump – ashtu si edhe më 2019 – ka sinjalizuar interesin për “pronësi dhe kontroll” të ishullit gjigand në Arktik. Egede e pati kundërshtuar menjëherë Trumpin prerazi dhe në fjalimin e tij sivjet nuk u përmend as politikani amerikan dhe as SHBA-ja.

Groenlanda me rreth 57000 banorë është me rëndësi të madhe strategjike për SHBA, që ka atje një bazë aviacioni ushtarak me sistem paralajmërues për raketat balistike. Kryeqyteti i Groenlandës Nuuk është më afër Nju Jorkut se sa Kopenhagës.

“Populli duhet të vendosë”

Në Groenlandë më 6 prill do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. “Eshtë populli i Groenlandës që duhet të vendosë, nëse vendi duhet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në rrugën e pavarësisë. Ndaj periudha elektorale që kemi përpara duhet të jetë një periudhë, në të cilën populli groenlandez vendos, se si duhet të jetë e ardhmja e Groenlandës dhe sistemi i saj”, tha kryeministri Egede. Se kur mund të ndodhë kjo, ai e la të hapur. Një shumicë në vend është për pavarësinë, por ka mendime të ndryshme sa i përket planit kohor dhe pasojave të mundshme që priten ndaj standardit të jetesës.

Pasuri të mëdha dhe ekonomi e brishtë

Që nga viti 2009 Groenlanda ka të drejtë, që të shpallë pavarësinë përmes referendumit. Megjithë pasuritë e mëdha nëntokësore si naftë e gaz, ekonomia e këtij vendi është e brishtë dhe e varur fort prej mbështetjes nga Kopenhaga si dhe nga peshkimi. “Historia dhe detyrimet aktuale kanë treguar, se në bashkëpunimin tonë me mbretërinë e Danimarkësnuk është arritur të vendoset barazia e plotë”, tha Egede. “Si edhe vende të tjera të botës ne duhet të punojmë, që të shmangim pengesat për bashkëpunimin – të cilat mund t’i konsiderojmë si pranga kolonializmi – dhe të ecim përpara. “Groenlanda deri më 1953 ka qenë koloni daneze, por ndërkohë është një territor i vetadministruar i mbretërisë. Kohët e fundit ngjallën indinjatë zbulimet lidhur me qëndrimet e padrejta të autoriteteve daneze në Groenlandë, ndër to edhe një fushatë për imponimin e natalitetit të kontrolluar në vitet 1960.

Shënim: Grenlanda është ishull me një sipërfaqe prej 2.166.086 km² nga e cila 1.755.637 km² (81%) është e mbuluar me akull. Bregdeti ka një gjatësi 39.330 km, që është gati sa gjatësia e Ekuatorit.

Pesha e mbulesës së akullt në brendësi të ishullit ka krijuar kanjonin rreth 300 m nën nivelin e detit. Të gjitha vendbanimet janë përgjat bregdetit i cili nuk është i mbuluar me akull. Më së shumti banorë jetojnë në bregdetin perëndimor. Territori në verilindje, i cili përfshin pjesët e Grenlandës Veriore dhe Grenlandës Lindore nuk është pjesë e asnjë njësie administrative, porse është vend ku gjendet parku më i madh nacional në botë.

Në pjesën qendrore të Grenlandës , e cila është e mbuluar me akull, ndodhen më së paku katër stacione hulumtuese shkencore dhe kampe. Radiostacioni Jørgen Brøndlund Fjord deri në vitin 1950 ka qenë radiostacioni më verior në botë.

Toka e Perit, gadishulli në pjesën veriore të Grenlandës, nuk është e mbuluar me akull për shkak se ajri është i thatë për tu formuar mbulesa e borës. Nëse e tërë mbulesa e akullit të shkrihet në Grenlandë, niveli i detit botëror do të rritej për 7 m dhe Grendlanda sigurisht do të shëndrrohej në arqipelag.

SHKARKO APP