Llatja: Dru zjarri në ndihmë të shtresave në nevojë me çmim të ulët dhe pa ndërmjetës

Edhe këtë vit, Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë iniciativa në ndihmë të shtresave në nevojë. Në kuadër të këtyre nismave, Bashkia do të ofrojë lëndë drusore për familjet në vështirësi, me kosto shumë më të ulët se sa në treg.

Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja, ka vizituar sot fushën e druve, ku është shprehur se “Bashkia e Elbasanit ka shumë vite që ofron shfrytëzimin e fondit pyjor për qytetarët në nevojë, duke dhënë të gjithë materialin drusor për ta, dhe jo për palët e treta.”

Ai ka theksuar se Bashkia e Elbasanit, fillimisht, siguron lëndën drusore për qytetarët në qytet dhe më pas për njësitë administrative që nuk kanë fond pyjor për shfrytëzim. Ky material përdoret kryesisht për ngrohje në dimër dhe ka një çmim shumë herë më të ulët se sa ai i tregut.

“Ky proces kryhet plotësisht nga Bashkia e Elbasanit për të ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, për pensionistët dhe ata që kanë nevojë për dru zjarri. Më pas, do të vijojmë me furnizimin për fshatrat si Bradashesh, Labinot, Fushë, Gjergjan, Shirgjani dhe të gjitha njësitë administrative të tjera që janë në nevojë për dru zjarri,” shtoi Llatja.

Faza e parë e këtij projekti është përmbyllja e nevojave për ngrohje në kopshte, çerdhe dhe shkolla, përfshirë ato në qytet dhe në disa njësive administrative. Shumë shkolla janë pajisur me sisteme ngrohjeje me pelet, ndërsa në disa zona rurale ngrohja realizohet me dru.

“Ne do të vazhdojmë me shpërndarjen e druve për qytetarët dhe shtresat në nevojë, pasi çmimi që ofron Bashkia është 20% më i ulët sesa çmimi në tregun e Elbasanit,” përfundoi ai.
Ky program ka pasur interes të madh nga qytetarët, të cilët janë përpjekur të sigurojnë drutë për ngrohje gjatë muajve të dimrit, duke përfituar kështu nga mundësitë e ofruara nga Bashkia.

SHKARKO APP