Milani transferon sulmuesin gjerman nga Premier League, mungon vetëm zyrtarizimi
Milani po punon për t’i dhuruar sa më shpejt një sulmues qendre trajnerit Max Allegri dhe prej disa ditësh pista kryesore çon te Niclas Füllkrug. Sulmuesi gjerman 32-vjeçar, aktualisht pjesë e West Hamit, është në kërkim të një sfide të re dhe negociatat mes palëve kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Transferimi i Füllkrug nga Premier League drejt Serie A është në një stad të avancuar dhe marrëveshja pritet të mbyllet së shpejti. Futbollisti i lindur në vitin 1993 nuk do të jetë i gatshëm për t’u regjistruar në kohë për ndeshjen në transfertë ndaj Cagliarit, por do t’i bashkohet menjëherë skuadrës për të nisur punën nën drejtimin e Allegrit.
Në këtë fillim sezoni me West Ham, Füllkrug ka luajtur vetëm 413 minuta në 8 paraqitje, pa arritur të shënojë gol. Sipas mediave italiane, ai pritet të kalojë te Milani në formën e huazimit me të drejtë blerjeje.
Nëse klubi kuqezi vendos ta blejë përfundimisht, operacioni do të kushtojë 13 milionë euro, ndërsa paga e lojtarit do të mbulohet nga Milani dhe do të jetë rreth 1.5 milionë euro deri në fund të sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

