Qeveria miraton fonde shtesë për shëndetësinë, 18 milionë euro për barna
Qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025, me fokus mbështetjen e sektorëve prioritarë. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se shëndetësia është një nga fushat kryesore që do të përfitojë nga ky akt, duke marrë një mbështetje financiare shtesë prej 18 milionë eurosh.
Sipas ministrit, këto fonde do të përdoren kryesisht për sigurimin e barnave në spitalet publike në të gjithë vendin. Qëllimi kryesor i kësaj ndërhyrjeje buxhetore është përmirësimi i shërbimit shëndetësor për qytetarët, garantimi i furnizimit të vazhdueshëm me medikamente dhe shmangia e mungesave që janë hasur herë pas here në institucionet shëndetësore publike.
Përveç sektorit të shëndetësisë, përfitues nga Akti Normativ do të jetë edhe pushteti vendor. Ministri Malaj bëri të ditur se bashkitë do të mbështeten me rreth 1,2 miliardë lekë shtesë, fonde që do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, kryesisht ndaj operatorëve ekonomikë dhe furnitorëve të shërbimeve.
“Në total, vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40 për qind të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki”, u shpreh ministri, duke theksuar rëndësinë e lehtësimit të barrës financiare mbi njësitë vendore.
Ai shtoi se Akti Normativ përfshin edhe masa të tjera, të cilat synojnë përdorimin më efikas të fondeve publike dhe orientimin e tyre aty ku nevoja është më e madhe. Sipas Malajt, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar stabilitetin ekonomik të vendit dhe për të zbatuar politika që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

