Eliminimi nga Kupa/ Juventus penalizohet nga VAR dhe nga organika jo cilësore në pankinë

Juventusi dështon objektivin e parë sezonal. Rrugëtimi në Kupën e Italisë ndalet në çerekfinale pas humbjes së thellë 3-0 ndaj Atalantës, një rezultat i rëndë që lë pas shumë polemika dhe reflektime. Një disfatë e ndërtuar mbi kontraste të forta: nga një skuadër që di të ndërtojë lojën por vuan në finalizim, te episodet arbitrare dhe një pjesë e dytë krejtësisht ndryshe nga e para, ku Raffaele Palladino fitoi qartë duelin taktik ndaj Luciano Spallettit.

Shtylla, VAR-i dhe paradoksi i pjesës së parë

Ndeshja kishte nisur me sinjale pozitive për “Zonjën e Vjetër”. Juve dominoi lojën për shumë minuta, duke mbyllur fraksionin e parë me 58% zotërim topi. Por futbolli di të jetë cinik. Francisco Conceição e provoi këtë në lëkurën e tij: fillimisht shpërdoroi një rast të pastër përballë Carnesecchit dhe më pas goditi traversën me një goditje të fuqishme, duke regjistruar shtyllën e katërt sezonale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa Juventusi krijonte dhe gabonte, Atalanta priste momentin e saj. Avantazhi erdhi nga një episod shumë i diskutuar: një prekje me dorë e Bremer në zonë, pas një krosimi të Ederson, u evidentua nga VAR-i. Nga pika e bardhë Scamacca nuk gaboi, duke shënuar golin e 1-0 që ndryshoi rrjedhën emocionale të sfidës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në pjesën e dytë, zgjedhjet taktike të Spallettit ngritën pikëpyetje, sidomos kur vendosi të ndryshojë në mënyrë drastike repartin ofensiv. Me largimin e Davidit, jo negativ por pak konkret para porte, trajneri avancoi McKennie-n si qendërsulmues, një lëvizje që synonte surprizën, por që në praktikë i hoqi peshë zonës së rreptësisë bardhezi.

Në anën tjetër, Palladino lexoi ndeshjen në mënyrë perfekte. Aktivizimet nga stoli rezultuan vendimtare. Sulemana dyfishoi shifrat duke mposhtur Kalulu-n në shpejtësi, ndërsa Pasalic vulosi rezultatin 3-0, duke shuar çdo shpresë të Juventusit.

Problemet e thella të skuadrës

Kjo humbje nxjerr në pah limitet e një organike që, në momentet kritike, nuk ka alternativa cilësore ndaj titullarëve. Dështimi i merkatos së dimrit, me përforcime të mbetura vetëm në letër si rasti i Mateta-s, rëndon sot mbi projektin e rindërtimit të Spallettit.

Megjithatë, mes zhgënjimit mbetet një imazh domethënës, pasi tifozët bardhezi në fund të ndeshjes duartrokitën skuadrën. Një shenjë besimi dhe një pikënisje e domosdoshme për të reaguar menjëherë në kampionat.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?