1.1 ton drogë nga Shqipëria bllokohet në Peloponez (VIDEO)
Mediat greke kanë publikuar pamje të skafit me 1.1 ton drogë që u bllokua nga roja bregdetare në gjirin e Mesinit në Peloponez pas trafikimit nga Shqipëria. Gazeta ”Prototema”, shkruan se Roja Bregdetare lokalizoi mjetin lindrues që transportonte 1,1 ton kanabis nga Shqipëria, duke proceduar arrestimin e katër trafikantëve mes të cilëve edhe një shqiptar.
Hetimet nga autoritetet kishin nisur gjashtë ditë para mbërritjes së skafit, bazuar në informacionet paraprake të siguruara nga shërbimet e antidrogës. Mëngjesin e 8 tetorit 2020, një anije patrullimi e autoriteteve greke gjeti skafin me tre pasagjerë që mbanin një ngarkesë të mbuluar dhe lëviznin me shpejtësi të madhe.
Mesa duket trafikantët kanë tentuar ta transportojnë në krahë drogën brenda tokës greke pasi mjeti lundrues është dëmtuar pranë bregut. Gjatë kontrolleve në zonë policia arrestoi katër personat që u identifikuan më pas se kishin qenë drejtues të skafit me të cilin ishte transportuar lënda narkotike.