1/3 shqiptarë përballoi me vështirësi jetesën gjatë vitit të shkuar
1/3 shqiptarë jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo sipas Avokatit të Popullit për shkak të niveli të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen social.
“Ky raport nuk ka lënë pa përmendur dhe pa detajuar gjithashtu se 43.9 për qind e popullsisë shqiptare është në prag të futjes në nivelin e varfërisë. Ndërkohë 22 për qind e popullsisë në shkallë vendi cilësohet si plotësisht e varfër”, tha pedagogia Hoxha.
Avokati i Popullit vlerëson se varfëria në Shqipëri nuk do të thotë vetëm mungesë të ardhurash, pra e të pasurit më pak se 5.5 dollarë në dispozicion në ditë. Shkalla e lartë e varfërisë, sipas institucionit që ka në fokus të drejtat dhe liritë e individëve vjen edhe nga mungesa e shërbimeve dhe pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në jetën publike.
“Varfëria si shkak, por edhe si pasojë e shkeljeve të të drejtave të njeriut, duhet të adresohet në kontekstin e detyrimeve të shtetit për respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut”,-thuhet në raport. Vlerësim të njëjtë ndajnë edhe ekspertë të ekonomisë.