1.3 ton kokainë, ministri Çulev “konfirmon” Berishën: Në Krushopek u konfiskua vetëm një kilogram kokainë, pjesa tjetër në shtet tjetër
Ministri teknik për Punë të Brendshme, Naqe Çulev ka konfirmuar sot se gjatë aksionit të mbrëmshëm në Krushopek të Sarajit është konfiskuar vetëm një kilogram kokainë. Ndërkohë që janë arrestuar 4 persona të cilët janë ndaluar në stacionin policorë, ndërsa gjatë ditës pritet të dalin para gjykatësit hetues. Bëhet fjalë për operacion ndërkombëtare, me çrrastë janë përfshirë edhe disa vende të tjera.
Çulev gjithashtu theksoi se droga ka prejardhjen nga Kolumbia, derisa kokaina është gjetur në një depo për fruta në Krushopek.
“Operacioni është realizuar nga 17 deri më 19 shkurt, derisa mbrëmë deri vonë Njësiti për operacione speciale ka kryer bastisje në depon e Baneks kompani, e cila afro 120 herë ka kryer import të frutave në pjesën më të madhe nga Kolumbia, ndërsa në sasi më të vogël edhe nga Ekuadori. Në rast se gjatë hetimit del që edhe persona tjerë dhe kompani tjera janë të përfshira, atëherë hetimi do të zgjerohet. Në shtetin tonë është konfiskuar vetëm një kilogram, sasia tjetër është në shtet tjetër, bëhet fjalë për një sasi të madhe por nuk mund ta them për të mos dëmtuar hetimin. Ditëve në vijim do të mësoheni me detajet por edhe sasinë e drogës”, tha Çulev duke mos shpalosur më shumë detaje nën arsyetimin që të mos dëmtoj procesin sepse bëhet fjalë për informata sensitive.
“Gjithçka që do të shtoja, vetëm se do të dëmtoja hetimin. Këto që thuhen këtu janë oficiale, gjitha tjerat janë spekulime”, tha Çulev.
“Deri pas orës 24:00 janë kryer bastisje, nuk kanë kaluar as 12 orë nga bastisjet. Bëhet fjalë për operacion ndërkombëtarë. Kaq mund të them për këto 12 orë. Flas për informata zyrtare dhe jo për atë që kanë shkruar mediat”, u shpreh Çulev, raporton “Alsat M”
Denoncimi i Berishës
Deklarata e ministrit maqedonas duket se konfirmon alibinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pak orë më parë përmes rrjeteve sociale theksoi se një ngarkesë prej 1,3 ton kokainë me vlerë tregu 300 milion euro u zbulua në një magazinë në një fshat të Maqedonisë së Veriut. Berisha thotë se ngarkesa ishte shkarkuar nga një anije në portin Bar të Malit të Zi, e prej aty kokaina e ngarkuar në kamion ka hyrë nga Hani i Hotit në Shqipëri, dhe “pas një pushimi shplodhës në Xibrakë ka kaluar në Qafë Thanë pa i hyrë ferra në këmbë!”
Reagimi i Berishës
“Super xhalo me 1.3 ton kokainë!
Zhduket ngarkesa prej 1.3 tonë Kokainë!
Miq, një ngarkesë prej 1,3 ton kokainë, me vlerë tregu 300 milionë euro, u zbulua sot në një magazinë në një fshat të Maqedonisë së Veriut. Ngarkesa ishte shkarkuar nga një anije në portin Bar të Malit të Zi. Prej aty kokaina e ngarkuar në kamion ka hyrë nga Hani i Hotit në Shqipëri dhe pas një pushimi shplodhës në Xibrakë ka kaluar në Qafë Thanë pa i hyrë ferra në këmbë!
Mirëpo policia e Maqedonisë së Veriut njofton se ajo ka konfiskuar gjithsej 1 kg kokainë nga 1,3 tonë që ishte kokaina në banane, dhe se ka arrestuar dy shoferë dhe një magazinier.
Problemi këtu komplikohet dhe lind pyetja se ku shkuan 1299 kg kokainë?! U zhdukën gjatë rrugës nga Qafë-Thana në Shkup? Apo u shkarkuan në afërsi të Xibrakës, ku thuhet se prej dy vitesh funksionon një fabrikë e madhe mielli i Partisë!?”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Reagon Policia shqiptare: Kamioni me kokainë kaloi nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut! U krye në siguri të plotë, ishim pjesë e aksionit
Po sot, Policia shqiptare ka reaguar lidhur me sasinë e konsiderueshme të kokainës së sekuestruar në Maqedoninë e Veriut, e cila kaloi nga territori shqiptar. Përmes një njoftimi shpërndarë mediave, policia e shtetit thekson se ishte pjesë e këtij operacioni dhe se transporti është kryer në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.
“Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.
Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.
Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë.”- thuhet në sqarimin e Policisë së Shtetit.