1/5 e cigarëve kontrabandë në BE vjen nga Mali i ZI. Vetëm ish-kryeministri shqiptar Dritan Abazoviq e ngriu “portin e Tivarit”

Më shumë se 20 për qind e cigareve ilegale të konfiskuara vitin e kaluar në kufijtë e Bashkimit Evropian, e kishin prejardhjen nga Mali i Zi, bëri të ditur Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF).

Nga 333 milionë cigaret e konfiskuara, për më shumë se 60 milionë, Mali i Zi ishte shënuar si “vend i origjinës”.

Kjo nënkupton katër herë më shumë se vitin paraprak, kur u konfiskuan 15 milionë, sipas raporteve vjetore të OLAF-it.

Po sipas OLAF-it, Mali i Zi ishte në vendin e tretë sa i përket konfiskimit të cigareve ilegale në vitin 2023 – pas Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Përse Mali i Zi, i cili është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat serioz për anëtarësim në BE, nuk arrin ta parandalojë kontrabandën e cigareve?

Ines Mërdoviq, nga Aksioni për Drejtësi Sociale në këtë vend, thotë se mungon vullneti politik.

“Kam frikë se mafia e duhanit ka treguar forcë të konsiderueshme në raport me shtetin e Malit të Zi”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Kontrabanda me cigare në Mal të Zi është e pranishme për më shumë se tri dekada.

“Tradita” e kontrabandës së cigareve që nga vitet ‘90 filloi me vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë, në fillim të viteve ‘90, kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit ishte në pushtet.

Autoritetet e atëhershme, si dhe vetë Gjukanoviq, thoshin se bëhet fjalë për një punë tranzitore, por, sipas kritikëve, ishte kontrabandë shtetërore drejt Italisë dhe vendeve të tjera evropiane. Ata pretendonin se kontrabanda bëhej përmes Detit Adriatik me anije të shpejta.

Më 1999, hetime për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali bëri edhe drejtësia e Barit – qytet në jug të Italisë, i cili lidhet me rrugën më të shkurtër detare me Portin e Tivarit.

Hetimet përfshinë 15 shtetas italianë dhe malazezë – në mesin e tyre edhe Gjukanoviq, i cili atëkohë ishte kryeministër.

Dhjetë vjet më vonë, Prokuroria italiane për luftën kundër krimit të organizuar i tërhoqi akuzat kundër Gjukanoviqit, për shkak të imunitetit diplomatik.

Askush nga Qeveria e deriatëhershme nuk u dënua për organizim apo lidhje me kontrabandën e cigareve, edhe pse Qeveria e re paralajmëronte se do t’i ekspozonte të gjitha lidhjet mes mafies dhe asaj partie.

Problemi i Zonës së Lirë

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për kontrabandimin e cigareve përmes Malit të Zi, duke e cilësuar Portin e Tivarit si “platformë për kontrabandimin e produkteve të falsifikuara, së bashku me ato të prodhuara ligjërisht, në BE”.

Në Portin e Tivarit gjendet e ashtuquajtura Zonë e Lirë, e cila është një zonë e përjashtuar nga territori doganor i një vendi, ku kryhen një sërë aktivitetesh ekonomike, si prodhim, magazinim apo shërbime transporti.

Zona e Lirë në Portin e Tivarit, prej vitesh, është cilësuar si vend i kontrabandës së cigareve, përmasat e të cilit janë vënë në dukje më shprehimisht nga zyrtarët britanikë.

Vetëm përmes Portit të Tivarit, çdo vit, kontrabandohen mbi dy miliardë cigare, që arrijnë në tregjet evropiane, ka deklaruar në mars të vitit 2022 ambasadorja e atëhershme britanike në Mal të Zi, Karen Maddox.

Sipas saj, vlerësimet kanë treguar se kontrabanda e cigareve u kushton ekonomive të Ballkanit Perëndimor më shumë se 300 milionë euro të ardhura të humbura në vit.

Në vitin 2022, në Zonën e Lirë u ndalua ruajtja e cigareve.

Pas një konfiskimi të madh të cigareve në Zonën e Lirë, në maj të atij viti, kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se kontrabanda e cigareve në këtë vend është klinikisht e vdekur.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se ambasada “është e shqetësuar në lidhje me rishfaqjen e mundshme të kontrabandës së duhanit në Mal të Zi”.

“Kjo nënvizon nevojën urgjente për të gjithë aktorët, përfshirë Qeverinë e Malit të Zi, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe partnerët ndërkombëtarë, që t’i trajtojnë të gjitha dobësitë që i shfrytëzojnë grupet e organizuara kriminale”, thuhet në deklaratë.

Në ambasadë besojnë se vetëm një qasje sistematike mund t’i zbusë “këto incidente të përsëritura të sigurisë” në Portin e Tivarit.

“Andaj, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që ta ketë prioritet miratimin e Ligjit të ri për Zonat e Lira në muajt në vazhdim, si dhe t’i shqyrtojë iniciativat për rritjen e pranisë së doganierëve dhe të policëve në Portin e Tivarit”, thuhet në deklaratë.

Po sipas saj, Qeveria britanike bashkëpunon me Malin e Zi për të luftuar kontrabandën e cigareve, duke përfshirë sigurimin e pajisjeve dhe trajnimeve për zyrtarët në porte, aeroporte dhe kufij.

(marrëme shkurtime nga REL)

 

 

 

SHKARKO APP