1.8 mln lekë për logo të kopjuar të TKOB? Çela: U ble një set me mbi 20 elementë, çështja në gjykatë

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u përball me një lumë kritikash pasi shpenzoi rreth 1.8 milion lekë për dizajnimin e logos së tij të re, për të cilën ka zëra që thonë se është e plagjiaturë. Drejtuesja e këtij institucioni Zana Çela, në një intervistë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC tregoi hapat që janë ndjekur deri në blerjen e kësaj logoje.

Zonja Çela theksoi se TKOB nuk shpenzoi 1.8 milionë lekë të reja për të blerë vetëm një logo, por shtoi se janë mbi 20 elemente që u blenë dhe që kanë lidhje kryesisht me logon. Ajo tha se krijimi i një logoje të re u propozua nga departamenti i marketingut dhe se më pas u hap një konkurs. Po ashtu, ajo theksoi se kjo nuk është hera e parë që logoja e TKOB ndryshohet.

Është ndryshuar 5 herë ndër vite logoja. Dhe, nuk është blerë vetëm një logo, por një set prej mbi 20 elementësh që duhej të prodhoheshin. Ai çmim doli me ofertë nga tregu. Merret një çmim në mes pasi studiohet tregu. Në komision mori pjesë edhe një anëtar i bordit, edhe një i ministrisë së Kulturës.  Do pranoheshin vetëm punime origjinale, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore. Kompania fituese i kishte të gjitha në rregull.”

Sipas asaj që tregoi drejtuesja e TKOB, fillimisht kur u hap konkursi u paraqit vetëm një subjekt, pra agjencia Pika Pro, dhe për këtë arsye ai u rishpall.

“U rishpall, me 22 janar 2020. Morën pjesë 14 subjekte,  nga ato u s’kualifikuan 9, se nuk kishin deklaratë autorësisë. Mes atyre 5, fitoi Pika Pro, u nënshkrua një kontratë, vendosëm nenin 5 në kontratë.”

Zana Çela u shpreh po ashtu, se TKOB i ka ndjekur të gjitha hapat për të verifikuar që logoja nuk është e vjedhur, edhe pse u theksua që në çdo rast ajo që mban përgjegjësi ligjore është agjencia që e ka krijuar.

Tashmë, çështja sipas zonjës Çela ka shkuar në gjykatë, dhe nëse kjo e fundit vendos që logoja është origjinale, ajo do të mbahet për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Edhe nëse gjykata vendos për të kundërtën, sërish, sipas saj, vendimi do të ekzekutohet.

Ndërsa, e pyetur rreth akuzave që Nikolin Gurakuqi ka hedhur në drejtim të saj për shkatërrim rekuizitash, e “privatizimin” e TKOB, Zana Çela tha se ato nuk qëndrojnë. /abcnews.al/

SHKARKO APP