1 mijë euro ryshfet, krimet ndalojnë prokurorin në sallën e gjyqit
Prokuroria për Krimet e Rënda, ka ndaluar në sallën e gjyqit një prokuror në Gjirokastër. Spartak Çoçoli ndodhet për momentin në komisariat për verifikim lidhur me një dosje hetimore.
Prokurori ka qenë në përgjim prej një kohe të gjatë për një hetim që kishte nisur ndaj tij. Prokurori Çoçoli nuk ka bërë rezistencë dhe ka pranuar shoqërimin drejt policisë së Gjirokastrës ku ndodhet ende. Prokuroria mësohet se do kërkojë një masë “arresti me burg” ndaj tij gjatë kësaj jave në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Prokurori akuzohej nga një qytetar se i kishte marrë 1 mijë euro për çështjen e vajzës 17-vjeçare të komunitetit rom e cila ishte rrëmbyer nga 40-vjeçari Shpëtim Muharremi, por sipas tyre ai nuk ka bërë asgjë, ndërsa nuk ka kthyer as paratë. Në korrik 2018, nëna e vajzës, përveç ryshfetit, e akuzoi prokurorin edhe për dhunë ndaj saj në përfundim të seancës gjyqësore.
Vajza e mitur ishte denoncuar e rrëmbyer nga familjarët e saj, mirëpo sipas pretendimit të prokurorit Çoçoli, pas kontakteve që ai ka pasur me 17-vjeçaren, ajo nuk ka pranuar vetë që të kthehej në shtëpi. Mësohet se prej atëherë prokurori i Gjirokastrës ka qenë në përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në ngarkim të tij të ketë edhe çështje të tjera ku dyshohet si i përfshirë në afera korruptive.
KOHA JONË SONDAZH

