1 mijë të papunë në 20 ditë, Prençe: Situata alarmante, bizneset kanë pësuar humbje të frikshme

Pas disa muaj paralajmërimesh, eksportuesit dhe kryesisht fasonët kanë marrë vendimin që në fillim të janarit të nisin protestat përpara kryeministrisë. Ata deklarojnë se po falimentojnë, kryesisht nga zhvlerësimi i euros në tregun vendas. Për këtë çështje u diskutua këtë të premte në A2 Business. Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës “Proeksport Albania” u shpreh se situata është alarmante. Ai theksoi se vetëm në 20 ditët e fundit janë pushuar nga puna të paktën 1 mijë punonjës, ndërsa theksoi se bizneset po përballen me një humbje të frikshme teksa jemi në një periudhë të mbylljes së bilanceve vjetore.

“Situata është shumë kritike. Sa i takon punësimit, ka një shkurtim të vendeve dhe një mbyllje të linjave prodhuese dhe kjo nis nga Shkodra deri në Korçë. Nga ana tjetër, ka një rënie të porosive të ardhura nga klientët tonë të jashtëm. Mbi të gjitha, tani që po bëhet bilanci paraprak i fundvitit, të gjitha bizneset kanë humbje të frikshme, të cilat kalojnë të paktën 30% të xhiros së tyre. Sot që ne po flasim, ka mungesë të theksuar të likuiditetit ka mungesë të porosive dhe kjo vjen për shkak të efektit të konkurrueshmërisë, të cilën ne tashmë e kemi humbur. Nga ana tjetër, ka humbje të vendeve të punës. Vetëm në 20 ditëshin e fundit, ne jemi detyruar të largojmë mbi 1 mijë persona për shkak të mbylljes së linjave prodhuese.

Nga ana tjetër, ne shohim një mosreagim sepse realisht jemi përballë një impakti social, që nuk e di sesi do të shkojë”, tha Prençe.

SHKARKO APP