1 muaj në izolim, Berisha: Unë ”non-grata” që Rama të qeverisë me Bashën

Sali Berisha thotë se shpallja e tij ”non-grata” nga SHBA, ishte që Rama të qeveriste i qetë me Lulzim Bashën. Po ashtu nga ballkoni i banesës ku qëndron në izolim prej një muaji, Sali Berisha tha se opozita nuk mund të pranonte që të kthehej në fasadë ndaj dhe u mor një kthesë vendimtare.

Pjesë nga fjalimi

Presionet mbi ju ishin të jashtëzakonshme. U kërcënuat, ju hoqën vizat, u pushuat nga puna, u persekutuat, por nuk u mposhtët. Njerëzit e kthesës vazhduan rrugën në këmbë të vendosur. Erdhën zgjedhjet e majit. Më të pabarabartat në histori, më të pandershmet, më të inkriminuarat. Ne mes alternativës ti bënim dhuratë bojkotin Edi Ramës dhe të merrnim pjesë në ato kushte, ne zgjodhëm të dytën. Armikut dhurata nuk i bëhen, atij i jepen goditje dhe vetëm goditje. Pa logo, pa emër, përballë makinerisë më të egër të krimit, parasë, vjedhjes, përsëri 600 mijë shqiptarë votuan opozitën.

Miqtë e mi! Duhet të jem i sinqertë me ju dhe do t’u rrëfej një sekret timin. Në dhjetor të vitit 2021, kur miratuam statutin, Sali Berisha propozoi një nen, kryetari i partisë largohet përfundimisht kur humbet zgjedhjet e përgjithshme. Ju lutem më ndiqni pak. Në dorën time dhe plotësisht e justifikuar ishte të shkruaja largohet kur humbet zgjedhjet e ndershme.

Por jo. A e dija unë se nuk do kishte zgjedhje të ndershme? E dija, siç e di se sonte është natë. Por pse atëherë unë propozova dhe vendosa këtë nen? Me një qëllim të vetëm, se me Edi Ramën duhej të matemi dhëmb për dhëmb. Ta largonim dhe të bënim zgjedhje të lira. Të largonim armikun e votës së lirë. Të largonim armikun e votës së lirë ose të nënshtroheshim dhe të poshtëroheshim në diktaturën e tij. Çdo pjesëmarrje në zgjedhje si zakonisht do ishte firmë në mandatin e tij të grabitur. Çdo bojkot i zgjedhjeve do ishte tradhti ndaj aspiratave demokratike të shqiptarëve. Për ne kishte vetëm një rrugë, betejë pa kthim për votën e lirë. Miqtë e mi, ndaj unë ju thashë në fillim, ju jeni njerëzit e kthesave të mëdha.

Ju jeni këtu në këtë betejë. Por unë këtu ftoj çdo demokrate dhe çdo demokrat, i cili ndoshta ndodhet i dyzuar, ndoshta heziton, t’i shtrojë vetes këto pyetje: A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë? A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën që ka listat dhe përjashton qindra e mijëra demokratë nga listat e votimit?

A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën, që shpërndau nga 50 mijë lekë për 680 mijë pensionistë dhe zgjedhjet e ardhshme mund të shpërndajë 150 mijë lekë? A mund të ketë zgjedhje të lira me një njeri që thotë se Kodi Zgjedhor është një kinezëri? A mund të ketë zgjedhje të lira me një njeri që ka krijuar sistemin e patronazhistëve dhe aktivistëve, policinë politike elektorale, që terrorizon qytetarët? A mund të ketë zgjedhje të lira në një kohë kur bandat, vrasësit serialë, narkotrafikantët lirohen nga burgjet për të terrorizuar qytetarët? A mund të ketë zgjedhje të lira me industrinë gjigante të blerjes së votës?

Ndaj dhe secili demokrat dhe demokrate, që ka një investim të mrekullueshëm, ka një investim që bën krenar atë dhe brezat që vijnë, pasi t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, të vendosë për kthesën, të vendosë për betejën, të vendosë për të ardhmen, të zgjojë luanin, të përballemi, të përballemi, të përballemi!

SHKARKO APP