10 masat që Ministria e Arsimit duhet ti marrë, Dhimitri: Shahini e pason topin tek Komiteti

Ministria e Arsimit ka vendosur që viti i ri shkollor do të çelet por pa dhënë shumë detaje sesi dhe kështu ka shqetësuar më shumë nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Ish-kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja Fatjona Dhimitri përmes një postimi në facebook ka kritikuar ministren e Arsimit, Besa Shahini, e cila sipas saj vijon me portretin e përgjumur në vendimet e bëra publike përmes Facebook-ut.

Nga ana tjetër, ajo thekson se Komiteti të cilit ministrja ia delegoi përgjegjësinë për skenarin që do të zbatohet për këtë vit shkollor.

”Rikthimit të nxënësve në bankat e dijes, prej të cilave janë shkëputur qysh prej 6 muajsh duhet ti bashkëlidhet edhe një protokoll masash për mbarëvajtjen e vitit te ri shkollor që facebooku na dikton se do të fillojë në 14 shtator”.

Deputetja ka bërë thirrje që Ministrja Shahini të nisë me bërjen publike të vendimit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe disa masa të tjera që Dhimitri i ka radhitur më poshtë.

Postimi i plotë

Ministrja Shahini vijon me portretin e përgjumur në vendimet e bëra publike përmes Facebook-ut. Harron që shteti drejtohet me dokumente dhe jo me deklarata virtuale nëpër rrjetet sociale, pavarësisht se kjo e fundit është bërë e modës. E pason topin tek Komiteti në të njëjtën formë me të cilën ata që i thurin lavde mbulojnë gjurmët e paaftësisë së saj.

1-Rikthimit të nxënësve në bankat e dijes, prej të cilave janë shkëputur qysh prej 6 muajsh duhet ti bashkëlidhet edhe një protokoll masash për mbarëvajtjen e vitit te ri shkollor që facebooku na dikton se do të fillojë në 14 shtator.

2-Prandaj Ministria e Arsimit duhët të bëjë publike vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Është me rëndësi që protokolli i masave të jetë i qartë, i thjeshtë dhe të përfshijë sistemin arsimor parauniversitar në të gjithë territorin.

3-Të përcaktohet numri i nxënësve që do jenë në një klasë kryesisht në ato shkolla ku ka mbipopullim nxënësish dhe shihet thuajse e pamundur të respektohet trendi i distancës sociale.

4-Të evidentohen lehtësirat në transport për nxënës e prindër, kryesisht për distanca të largëta apo ku infrastruktura rrugore mungon.

5-Orari i mësimit të mos reduktohet nëqoftëse mësimi do të bëhet me dy turne, në rast të kundërt nxënësit do të vuajnë mangësitë në përvetësimin e dijeve.

6-Të bëhet transparente mënyra e rekrutimit të mësuesëve që nevojiten në rastet e shtimit të klasave me dy turne si dhe skema e shpenzimeve sipas zërave për burime njerëzore e paisje logjistike.

7-Komiteti Teknik duhet të bëjë transparent inspektimin e kushteve higjeno sanitare në të gjitha shkollat qofshin këto publike apo private, higjenizimin e ambienteve ( muret e klasave, tualete, korridore ku shkëmbehen mësues e nxënës),

8-Testimin masiv të mësueseve në shkolla, prej të cilëve mund të ketë të infektuar të padiagnostifikuar dhe kontakti i parë me nxënësin përmes kalimit të materialeve bankë më bankë mund të jetë fatal për shëndetin e tyre.

9-Të vlerësohen familjet me të ardhura minimale si dhe të shihen mundësitë e kompensimit të pagesës së internetit në rastet kur mendohet që një pjesë e programit mësimor të mbartur prej vitit shkollor që lamë pas, të zhvillohet online.

10-Të merren masa që fëmijët e familjeve që vuajtën pasojat e termetit të 26 nëntorit të ndjekin vitin e ri shkollor në të njëjtat kushte dhe standarte me bashkëmoshatarët e tjerë.

Masat e lartpërmendura duhet të merren dhe të garantohen në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe të monitorohet rreptësisht zbatimi i tyre!

SHKARKO APP