”10 mijë shqiptarë kanë Sky ECC”, gazetari: Dekodimi i kodeve s’është i lehtë
Janë rreth 170 mijë përdorues të Sky ECC në botë dhe 3 milionë sms në ditë të shkëmbyera mes përdoruesve. Këto shifra të bazuara në të dhënat e Europol u bënë publike nga gazetari Armand Bajrami. Sipas të cilit edhe numri i shqiptarëve përdorues të këtyre aplikacioneve është mjaft i lartë, por jo çdo komunikim i tyre është në duart e SPAK.
“Sipas Europol në rang global kanë qenë 170 mijë përdorues të Sky Ecc dhe 3 milionë sms në ditë të shkëmbyera mes përdoruesve. Numri i përdoruesve shqiptarë është i konsiderueshëm nuk ka shifër të saktë zyrtare, por është mbi 10 mijë, është përfolur deri në 16 mijë. Por jo çdo komunikim i shqiptarëve është në duart e SPAK”.
Ai thotë se dekodimi i kodeve është i vështirë, por bazuar në burimet që ka nga SPAK ai thotë se përdoruesit dhe personazhet e krimit kanë bërë gabime me foto e të dhëna personale. ”SPAK po operon në këtë lloj forme që në dosjet që ka nën hetim pasi identifikon një kod të caktuar. Më pas në varësi të hetimit i drejtohet partnerëve respektive që i zotërojnë këto të dhëna duke kërkuar rast pas rasti përmes letër porosive materialet shtesë për kodet e caktuara SPAK ka pafundësi materialesh nga ENCROCHAT dhe SKY ECC.
Dekodimi nuk është proces i lehtë përpos komunikimeve në gjuhën shqipe, por ajo që unë di nga burime pranë SPAK, fat për njerëzit e hetimit janë bërë vetë gabimet e përdoruesve të SKY ECC. Transmetimi i të dhënave personale, fotografia, bileta e udhëtimit çka ka bërë që të gjendet përqasja. Këto kanë qenë raste fatlume ku kanë bërë gabime të kësaj natyre, në raste të tjera mund të ketë qenë më i vështirë, por i kanë përafruar me personazhe të tjera”,-tha në ”A2cnn”.