10 miliardë dollarë ”flenë” në sektorin bankar në Shqipëri
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar të këtij viti, totali i parave të depozituara në sistemin bankar arriti në 1,1 trilionë lekë, ose rreth 9 miliardë euro. Kundrejt një vitit më parë, stoku i depozitave është rritur me 7.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, u shpreh në “A2 Business”, se nuk ka rritje të informalitetit. “Rritja e masës monetare është përkthyer në rritje të depozitave. Edhe në periudhë pandemie, biznesi shqiptar ka arritur të sigurojë likuiditetin e bilanceve të veta për zhvillimet e papritura që mund të ketë. Është normale që një pjesë e bizneseve i kanë shtyrë planet e investimit. Urojmë që këto vendime të jenë të përkohshme. Sa i takon lekut në qarkullim nuk ka asgjë informale në atë pikë, ndërkohë për paranë cash që është në valutë nga të dhënat që kemi, nuk na shtyn të besojmë që kemi rritje të informalitetit. Nëse do të kishte informalitet do të kishte edhe një forcim të kursit të këmbimit që nuk do ta shpjegonim dot”, u shpreh Themeli.
Artan Gjergjin, drejtor i Bursës shqiptare, thotë se shqetësues është niveli i lartë i depozitave pasive në sektorin bankar. ”Nuk ka një rritje drastike as për paratë jashtë bankave dhe as të depozitave, është një trend. Më shqetëson niveli i depozitave që janë pasive në sektorin bankar. Ne kemi depozita me afat kohor me vlerë 10 miliardë dollarë që flenë në sektorin bankar, në formën e depozitave. Ekonomia pas tërmetit dhe pandemisë ka nevojë për kapital”, u shpreh Gjergji.