10-vjeçari që përgjaku doganën, Dhimitri: Rama nuk shqetësohet, për të është një rrezik më pak për kryengritje popullore
Deputetja Fatjona Dhimitri, ka reaguar me tone të forta për tragjedinë që ndodhi në doganën e Kakavijës. Përmes një postimi në facebook, ajo thotë se rasti i 10-vjeçarit që përgjaku pikën e kalimit kufitar, tregon se shteti dhe strukturat shtetformuese mungojnë. Nga ana tjetër, ajo shtron pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për vuajtjet e emigrantëve tanë në Kakavijë? Sipas saj, Rama nuk shqetësohet, pasi për të është një rrezik më pak për kryengritje popullore.
”Kryeministri u fsheh pas një deklarate në facebook, duke garantuar që ka komunikuar me palën greke. Lau duart sic bën gjithmonë. Si është e mundur që jeta e shqiptarit vlen kaq pak? A nuk janë edhe ata bijë nënash se dergjen rrugëve? Apo kryeministri është i lumtur që po ikin, pasi ka një kokëçarje më pak, apo një rrezik më pak për kryengritje popullore”.
Edhe pse jemi në këtë situatë, deputetja thekson se qeveria nuk i ndërpret pushimet, kurse shqiptarët duhet ta ndërpresin rrugëtimin nga postoblloqet e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt.
Postimi i plotë
Humbja e një fëmije është tragjedi për këdo që ka fatin e keq ta përjetojë. Rasti i djalit 10 vjeçar që përgjaku pikën e kalimit kufitar ishte po ashtu një tragjedi. Politika gati për të bërë ngushëllimet e rradhës por askush nuk pyet arsyet. Dikush do të thoshte që e shtypi ambulanca. Po e vërtetë në pamje të parë, por nëse vlerësojmë panoramën e vërtetë të asaj çka përjetuan shqiptarët prej 4 ditësh në Kakavie njëzëri mendojmë:
Paaftësia e qeverisë për të menaxhuar situata të krizave humanitare do të thote që shteti dhe strukturat shtetformuese mungojnë si dhe mosqasje me standartet europiane të cilat do të sillnin siguri ekonomike, siguri shoqërore, siguri në shendetësi etj. Kush mban përgjegjësi sot për vuajtjet e emigrantëve tanë në Kakavije?
Kryeministri u fsheh pas një deklarate në Facebook duke garantuar që ka komunikuar me palën greke. Lau duart sic bën gjithmonë. Me shumë mundësi ai nuk ka lëvizur nga pushimet, siç nuk ka bërë as Ministrja e Mbrojtjes. Kjo e fundit përdor helikopterin e ushtrisë per t’u zhvendosur nga vendpushimi i saj deri në një pikë tjetër që nuk dihet arsyeja e lëvizjes. Si është e mundur që jeta e shqiptarit vlen kaq pak? A nuk janë edhe ata bijë nënash se dergjen rrugëve? Apo kryeministri është i lumtur që po ikin, pasi ka një kokëçarje më pak, apo një rrezik më pak për kryengritje popullore.
Qeveria nuk i ndërpret pushimet, kurse shqiptari duhet ta ndërpresë rrugëtimin e tij nga postoblloqet e Lleshajt. Pra është më e rëndësishme dita e pushimit te Kryeministrit apo jeniçerëve të tij se sa dita e punës e buka e gojës se një shqiptari që punon me djersën e ballit. Është e vërtetë që ata në Kakavie nuk janë as PPP, as vota, as taksa, as projekte rajonale. Në fjalorin shqiptar ka disa fjalë fyese te cilat nuk do i perdor sepse ato nuk arrijnë të japin idenë e shpirtit të mavijosur të Kryeministrit nga mllefi kundër shqiptarit. Ai fëmije iku në qiell nga marrëzia jonë për ti garantuar nje te ardhme te sigurt ne tokën e prinderve të tij!