10-vjeçarja në koma, Katedralja e Shkodrës: Lutuni për Noemin
Skena e aksidentit ka qenë horror. Nëna kërkonte fëmijët, kurse trupat e tyre të gjakosur jepnin shpirt. Tragjike ka rezultuar aksidenti i regjistruar pasditen e së dielës në vendin e quajtur “Sektori” në Velipojë, ku i mori jetën tre personave të së njëjtës familje, por tmerri për familjen Preka nuk mbaron me kaq. Vajza 10-vjeçare mbahet në jetë nga aparaturat.
Dom Vlashi nga Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër, i cili ka vizituar të afërmit e familjes që janë prekur nga tragjedia, i ka bërë lutje publike qytetarëve të luten për shpëtimin e jetës së Noemit të vogël, që po lufton me vdekjen, “si dashnia e vetme e mbetun e nanës’.
Vajza 10-vjeçare po mbahet në jetë nga aparaturat. “Rasti më i dhimbshëm që ka kaluar në urgjencën e spitalit të Shkodrës. Tre janë në gjendje jashtë rreziku për jetën, vajza është me rrezikshmëri të lartë për jetën. Situata e saj është e rënë, nuk po reagon fare ndaj mjekimit”, u shpreh mjekja Dhurata Uruçi.
Ja mesazhi drithërues i Dom Vlashit:
Shumë të dashtun e të nderum miq,
Sapo u ktheva nga Velipoja që kurrë nuk e pash ma ngusht, ma në zi e ma të plagosun.
Kërkoj lutjen Tuaj për jetën e Noemit 10 vjeç, që humbi baben, vëllain e vogël e motren, n’dashtë Zoti ta ruajë në jetë si dashninë e vetme të mbetun të nanës. Lutjen tuaj…, për gjithë atë popull të përlotun, të gjunjëzumë dhe në zemer të plagosun.
Kryqi i kësaj ngjarje peshon ma shumë se mund të mbajnë familjarët… Le të shpresojnë edhe njëhere se bijtë e saj, engjëjt e pafajshëm, nuk mund të treten në errësinë apo në asgja… por shpirti i tyne kjoftë i perqafumë nga krahët e mëshirshëm dhe të mirë të Zotit.
Kurrë nuk do të dyshoj se Dashnia gjithmonë do të ngadhenjejë mbi vdekjen!
Dom Vlashi
Katedralja e Shën Shtjefnit – Shkodër.
KOHA JONË SONDAZH

