100 mijë fëmijë shqiptarë të uritur? Hazizaj: UNICEF po hesht
Drejtor i CRCA/ECPAT, Altin Hazizaj, thotë se janë afro 100 mijë fëmijë shqiptarë të cilët po jetojnë sot kushte ekstreme të varfërisë, ndër të tjera edhe për shkak të mbylljes në shtëpitë e tyre nga masat që Shqipëria po zbaton në kuadër të mbrojtjes nga Covid-19. Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri i është drejtuar me anë të një letre të hapur, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar mbështetjen e saj për të shpëtuar nga uria fëmijët në vendin tonë.
Nga ana tjetër, ai thotë se përllogaritja është bërë mbi dy studime kryesore; kush janë përfitues të ndihmës ekonomike sipas INSTAT dhe në bazë të një studimi të UNICEF që evidenton përqindjen e përafërt të fëmijëve të varfër në vendin tonë. Sipas Hazizaj ky numër mendohet të jetë më i madh se kaq, me të paktën 154 mijë fëmijë që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.
”Përllogaritja niset nga studimi i Bankës Botërore për varfërinë. Në Shqipërinë kemi dy nivele, kemi varfërinë absolute, që përfshin 14-16 për qind të shqiptarëve dhe më pas atë relative, që përfshin 38 për qind të popullsisë. Janë statistika të sakta të bëra nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore”,-tha në ”EuroNews Albania”. Hazizaj pohon se në këtë kuadër, shqetësues është edhe fakti se shumë prej organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, si për shembull UNICEF, kanë zgjedhur edhe ato të heshtin apo të mos bëjnë asgjë për këta fëmijë. Ajo që presim nga organizata si UNICEF është ndihma e parë për këta mbi 100 mijë fëmijë.