100 milionë lekë për zyrat e reja të SPAK

Qeveria ka miratuar një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme, që do të shërbejë për akomodimin dhe funksionimin e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Fondi shtesë është miratuar me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Bëhet fjalë për një fond prej 100 milion lekësh të reja. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

VENDIMI

PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR AKOMODIMIN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Swiss Digital Desktop Reklama

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

Swiss Digital Mobile Reklama

VENDOSI:

Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?