100 vjet Forcë Detare, Begaj dhe Vengu nderojnë një shekull histori në Portin e Durrësit
Shqipëria ka kremtuar me ceremoni zyrtare 100-vjetorin e krijimit të Forcës Detare, një rrugëtim që nisi më 25 dhjetor 1925, kur Parlamenti i kohës miratoi blerjen e dy anijeve të para ushtarake, “Shqipnia” dhe “Skënderbeg”. Ceremonia e zhvilluar në Portin e Durrësit mblodhi krerët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ministri Vengu u tregua i drejtpërdrejtë lidhur me periudhat e stanjacionit të flotës shqiptare. “Për një kohë të gjatë kemi menduar më ngushtë dhe kemi vepruar më ngadalë sesa kërkonte realiteti ynë detar,” deklaroi ai, duke pranuar se kjo vonesë ka qenë një “gabim strategjik”.
Për të adresuar këtë, qeveria ka prezantuar strategjinë ‘Mbrojtja 2030’, e cila synon modernizimin rrënjësor të forcave detare përmes pesë shtyllave kryesore. Prioritet do të jetë trajnimi dhe rritja e pagave për ekuipazhet profesioniste. Synohet që ndërtimi dhe mirëmbajtja e anijeve të bëhet në bazën e Pashalimanit, duke garantuar autonomi reale.
“Fokusimi te kapacitetet reale për të vepruar në terren, jo thjesht për “fasadë”. Zhvillimi i Porto-Romanos jo vetëm si port ekonomik, por si një nyje sigurie për Aleancën e NATO-s. Modernizimi i Rojes Bregdetare si linja e parë e mbrojtjes së sovranitetit”, tha ministri Vengu.
KOHA JONË SONDAZH

