Blendi Klosi: Kemi marrë iniciativa konkrete për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge dhe fëmijëve të pa shoqëruar

Nga Blendi Klosi*

Si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kam kënaqësinë dhe nderin të jem pjesë e këtij organizimi, duke ofruar kështu kontributin tonë për përballjen me sfidat e fundit të rajonit dhe Evropës, siç është fluksi i migrantëve nga vatrat e konflikteve të ndezura.

Shqipëria është një nga shembujt më të mirë të të jetuarit në harmoni me etnitete dhe fe të ndryshme. Gjithashtu Shqipëria është një vend strategjik dhe faktor stabiliteti në Ballkan, ku pozita gjeografike e vendit tonë na përfshin vetvetiu dhe mobilizon për të marrë masa konkrete se si të ndihmojmë për të zbutur efektet emigracionit të fundit.

30 % e emigrantëve janë fëmijë, një shifër kjo e lartë për vështirësitë që mbart lëvizja në kushte të pasigurta dhe një barrë e madhe për fëmijët që të mbeten të paprekur nga të papriturat e udhëtimeve të mundimshme nëpër kufij shtetëror e brigje detare.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ndërmarrë disa iniciativa konkrete për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge dhe fëmijëve të pa shoqëruar. Këto iniciativa janë ndërmarrë në bashkëpunim me ministritë e linjës si Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ku vlen të theksohet “Pakti për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge nga puna dhe shfrytëzimi”, si dhe së fundmi përgatitja e Planit të Veprimit për Fëmijë (Axhenda). Një nga pikat më të forta të qeverisë shqiptare është bashkëpunimi me shoqërinë civile, ku në çdo plan, strategji, ligj apo dokument, mendimet dhe sugjerimet e tyre janë përfshirë si më të rëndësishmet.

Si rezultat i kësaj roli i shoqërisë civile tashmë është forcuar dhe roli i saj social ka dalë në pah, duke ju dhënë kështu mundësinë të kënë synime të strukturuara dhe autoritet publik.

Ndërkohë që ne sot jemi mbledhur këtu, në mbarë Shqipërinë është duke u zhvilluar fushata sensibilizuese për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel kombëtar, një bashkëpunim i MMSR, UNICEF dhe partnerëve tanë nën moton #UnëMbrojFëmijët, e cila filloi në 1 Mars 2016 dhe do të vazhdojë deri më 1 Qershor 2016.

Duke patur parasysh angazhimin e MMSR, donatorëve dhe shoqërisë civile për situata dhe momente të tilla delicate, siç është edhe fluksi i migrantëve me një prezencë të madhe të fëmijëve të pashoqëruar, siguroj që jemi të gatshëm të përballemi me një situatë të tillë, duke dhënë kështu maksimumin tonë për evidentimin e këtyre fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre.

Qeveria shqiptare përmes MMSR ofron shërbime të specializuara në baza kombëtare dhe rajonale për fëmijët e pashoqëruar, për fëmijët e trafikuar dhe në rrezik trafikimi, si dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara. Qendrat e përkujdesit social tashmë do te bëhen dhe qendra pritëse per fëmijet në risk dhe në situatë emergjence, ato kanë stafe profesionale të cilat janë orientuar të shërbejnë për të ardhurit nga zonat e konfliktit.

bl2

Nën udhëheqjen e Ministrisë së Brendshme, është ngritur në Qershor 2015 një grup pune në nivel qëndror me pjesëmarrjen edhe te MMSR. Ky grup pune ka hartuar një plan veprimi emergjence për të pritur të ardhurit nga Lindja e Mesme dhe zona të tjera me fluks të lartë largimi të qytetarëve. Stafet e qendrave pritëse dhe të qendrave të zhvillimit në të gjitha qarqet e Shqipërisë kanë marrë udhëzime për të asistuar të moshuarit, viktimat e dhunës dhe abuzimeve, dhe persoanat me aftësi të kufizuara.

MMSR në kuadër të bashkëpunimit institucional si dhe ndërveprimit në vazhdimësi, të sistemit të mbrojtjes sociale, ka ndërmarrë reforma madhore si reformën e shërbimeve sociale dhe reformën e skemës së ndihmës ekonomike, të cilat konsistojnë në krijimin e shërbimeve të integruara në nivel qëndror dhe vendor nëpërmjet hartimit të politikave të reja sociale, programeve dhe projekteve të shërbimeve për grupe dhe komunitete në nevojë.

Të gjithë fëmijët të çfarëdolloj etnie, race apo feje kanë të drejta të barabarta, për një jetë të mirë, të rriten në kushtë të sigurta, me përkujdesje , për arsim dhe edukim, shëndet dhe përfshirje sociale, krijimin e një ambienti miqësor dhe përfshirjen e tyre në mënyrë aktive.

Shqipëria mund të jetë një vënd i vogël, por koha ka treguar që ka qenë gjithmonë mikpritëse dhe ka krijuar kushte për njerëzit në nevojë, migrantët, refugjatët apo njerëzit e ikur nga vendi i tyre.

*Fjala e plotë e Blendi Klosit në takimin e Komisionit të  Përgjithshëm për Zhvillimin Social, Edukimin, Kërkimin dhe  Shkencën i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së.

SHKARKO APP