Klosi: Fëmijët e pambrojtur, nga sot dhomat e emergjencës
Hapen në të gjitha Qendrat e Përkujdesit Social në të gjithë vendin, qendrat e emergjencës për fëmijë në rrezik apo situatë rruge.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z.Blendi Klosi ishte sot i pranishëm në inagurimin e qendrës së emergjencës në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku pa nga afër përfundimin e kësaj qendre. Në të tilla qëndra në të gjithë vendin, do të sistemohen fëmijët që raportohen në situata rreziku, situatë rruge, abuzimi apo neglizhimi. Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve do të ndjekin rastet e raportuara deri në zgjidhjen e e tyre.
Në këtë aktivitet u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve me Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë (Alo 116 111). Përveç një linje këshillimi, në numrin 116 111 mund të denoncohen apo raportohen në çdo orë të ditës, raste të fëmijëve të dhunuar, neglizhuar, abuzuar, si dhe fëmijë në situatë rruge. Ministri Klosi në këtë aktivitet, nënvizoi ecurinë e shpejtë të përhapjes së qendrave të përkujdesit për fëmijët në të gjithë vendin, duke nxitur rritjen e reagimit qytetar në mbrojtje të fëmijëve.
Fjala e plotë e ministrit Blendi Klosi:
“Duke parë nevojën emergjente të fëmijëve në situatë rruge, MMSR ka transformuar të gjitha Qendrat e saj të Përkujdesit Shoqëror, në qendra të cilat bëjnë pritjen e emergjencës. Për të bërë këtë përpjekje patjetër që nuk mund të jemi vetëm, bashkë me Bashkitë dhe të gjitha institucionet e pushtetit vendor, ne po ngremë me shpejtësi Njësitë e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve në të gjitha bashkitë e vendit. Është një përpjekje e cila siç e kemi thënë shpesh, vjen si një bashkërendim i plotë i Institucioneve të Qeverisjes Qendrore, pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe e të gjithë komunitetit. E gjithë shoqëria do duhet të reagojë si një e vetme në rastet e evidentuara të fëmijëve në situatë rruge, apo edhe për rastet e dhunës të çfarëdolloj forme mbi fëmijët apo grupe vulnerabël.
Pyetje: Keni statistika z. ministër për numrin e fëmijëve në situatë rruge?
Përgjigje: Statistikat ndryshojnë cdo muaj. Unë mund të them që vetëm gjatë vitit 2015 kanë qenë 1116 raste të fëmijëve që janë evidentuar nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve në pushtetet vendore, në situatë rruge apo edhe të dhunuar. Këto raste janë referuar në Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe janë trajtuar. Pra, kemi një rritje të madhe të përfshirjes së të gjithë shoqërisë në evidentimin e këtyre rasteve. Këto raste na bëjnë të ndihemi shumë mire, por edhe shumë keq. Shumë keq sepse kemi ende raste të dhunës dhe nevojës së përkujdesit të shumë fëmijëve nga shteti dhe shumë mirë sepse kemi nisur të reagojmë dhe është hap pozitiv që e mirëpresim dhe mundohemi ta reflektojmë. Vetë dita e sotme është e tillë, reflektuese, realizimi i sotëm i transferimit të qendrave tona të përkujdesjes sociale në qëndra emergjencë për të pritur fëmijët në situatë rruge”.
KOHA JONË SONDAZH

