11 raste feminicidi në këtë vit, Balla: 47% e grave kanë përjetuar dhunë në familje. Koha për qasje tjetër

11 raste feminicidi janë regjistruar gjatë 2023 në vendin tonë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se kjo shifër është një kambanë e madhe alarmi për të gjithë ne. Në aktivitetin përmbyllës të “16 ditëve kundër dhunës”, ministri tha se dhuna në familje mbetet ende shqetësim serioz megjithë masat e marra dhe ashpërsimin e tyre. Duke iu referuar të dhëna statistikore, ai deklaroi se këtë betejë Policia nuk mund ta fitojë e vetme.

“47% e grave kanë përjetuar një moment dhune në familje, apo formë tjetër dhune. Megjithë përpjekjet e PSH për të parandaluar krimet, ende është problem. Kjo është një betejë që nuk fitohet vetëm, nga PSH. Janë evidentuar 4700 raste të dhunës në marrëdhënie familjare dhe dhënë 2500 urdhra mbrojtjeje. Njerëzit ende nuk e dinë, se edhe vetëm ta ngacmosh një vajzë në rrugë është dhunë, ta përndjekësh është dhunë, ta ndalosh të shkojë në punë është dhunë, apo të përdorësh një fjalë pa vend ndaj një kolegeje deputete në Kuvend, është po dhunë. Dhe shpesh herë shembulli më i keq bëhemi ne deputetët burra, duhet të jemi shembull pozitiv në shoqëri”, apeloi ministri.

Ai theksoi se duhet të ketë një qasje tjetër për kontaktin e parë të shtetit me viktimën. Sipas tij “vajzat dhe gratë që marrin përsipër të denoncojnë dhunën janë heroina, për të cilat duhet të kujdesemi në vijimësi, duke krijuar një sërë programesh sociale që ato të shkëlqejnë, që jeta e tyre pas denoncimit të jetë shumë e mirë pas denoncimit të rastit të dhunës, sesa ishte. Raste të tilla kemi, por si kemi promovuar sa duhet”.

SHKARKO APP