12 ambasadorët e rinj, opozita listën e qeverisë e quan mediokre
12 propozimet e Ministrisë së Jashtme për Kuvendin për ambasadorë të vendit janë tre ish-deputetë socialistë, anëtarë të qeverisë Rama, pedagogë dhe diplomatë. Listën e qeverisë shqiptare, deputetët e opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit e kanë cilësuar si modeste e mediokre, me individë që vijnë jashtë sistemit diplomatik
“Ajo çfarë po ndodh me diplomacinë shqiptare është skandaloze, është kthyer në një kënetë me ambasadorë që qëndrojnë 10 vite”, tha Tritan Shehu. “Në kohën e Zogut në SHBA shkonte Fan Noli, e me radhë emrat e tjerë, ndërsa lista sot është mediokre”, shtoi Gjekmarkaj.
Në dëgjesat me 4 kandidatët e parë në Komisionin e Jashtëm, emri i ish-deputetit socialist Ervin Bushati për të shërbyer si ambasador i Shqipërisë në SHBA u kundërshtua nga demokrati Tomorr Alizoti. “Unë politikisht e kundërshtoj që Ervin Bushati, një ish-deputet socialist, të jetë përfaqësuesi i yni në SHBA”.
Një tjetër të larguar nga jeta aktive e PS, ish-nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, mori lëvdata nga familja e saj politike për kontributin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa demokratët ironizuan duke i propozuar një alternativë tjetër. Pas këtyre dëgjesave, propozimet i kalojnë për dekretim presidentit të Republikës, shoqëruar me një raport të Komisionit të Jashtëm.