12 vatra zjarri të raportuara, 8 të shuara dhe 4 janë ende aktive
Ministria e Mbrojtjes informoi sot mbi situatën e zjarreve në vend. Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 19:20, janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 8 dhe 4 janë aktive. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave:
Në fshatin Fushë-Milot, njësia administrative Milot, bashkia Lezhë;
Në vendgrumbullimin e mbetjeve, Gërhot, njësia administrative Qytet, bashkia Gjirokastër;
Në fshatin Gëziq, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë;
Në fshatin Kallarat, njësia administrative Horë Vranisht, bashkia Himarë;
Në fshatin Borizane, njësia administrative Thumanë, bashkia Krujë;
Në fshatin Mesopotam, njësia administrative Mesopotam, bashkia Finiq;
Në fshatin Zenisht, njësia administrative Lis, bashkia Mat;
Në fshatin Kutal, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet.
Aktualisht janë aktive vatrat në qarkun Dibër vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Në operacionin e shuarjes së zjarrit u angazhuan 30 forca operacionale, por terreni shkëmbor dhe era e fortë e ka vështirësuar punën e tyre.
Në ndihmë të situatës erdhi edhe helikopteri “Cougar” i Forcave të Armatosura. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu. Vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit i cili ishte riaktivizuar. Zjarri është aktiv në 2 vatra me zhvillim të ngadaltë, ku njëra zhvillohet në drejtim të fshatit Vlashaj dhe tjetra në drejtim të fshatit Krajkë.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 6 forca zjarrfikëse nga MZSH të bashkisë Bulqizë, 6 forca të shërbimit pyjor, 12 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Si pasojë, deri tani, është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.
Në qarkun Shkodër, vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis, dushk shkurre dhe barishte. Ne terren për shuarjen e zjarrit ndodhen 8 efektivë zjarrfikës dhe 5 forca nga shërbimi pyjor. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri deri tani, është rreth 12 ha. Në qarkun Fier në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, i cili ishte riaktivizuar në datë 14.07.2025.
Në vendngjarje punuan shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Mallakastër me 2 automjete zjarrfikëse me 13 efektivë, 15 forca bashkiake, 3 forca policore dhe 5 forca vullnetare. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 110 ha shkurre dhe pyll me pisha. Gjithashtu, janë djegur mbi 1000 rrënjë ullinj. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse dhe 277 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme mori pjesë edhe helikopteri “Cougar” nga Forcat e Armatosura.
KOHA JONË SONDAZH

