13 persona në pranga si të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme
Për zjarret në vend ka përgjegjës. 13-të persona janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme gjatë 3 ditëve të fundit. Arrestimet janë kryer në gjashtë qarqe të vendit, përkatësisht në Durrës, Belsh, Librazhd, Fier, Kukës dhe Vlorë. Gjatë kësaj të hëne u vunë në pranga dy persona në Fier e Mallakastër.
Një ditë më parë në Kukës u arrestua në flagrancë një 47-vjeçar, i cili dyshohet t’i ketë vënë flakën malit të Gjallicës. Gjatë kontrolleve të kryera policia njoftoi se personi në fjalë mbante kallashnikov dhe municione luftarake.
Holanda dhe Çekia kanë dërguar helikopterë në Shqipëri për të bërë të mundur shurjen e zjarreve, që kanë rënë në disa qarqe të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është shprehur se shumica e zjarreve dyshohet të jenë të qëllimshme.
Ai ka apeluar tek qytetarët të jenë më bashkëpunues me strukturat shtetërore për të denoncuar akte të tilla, të cilat vënë në rrezik jo vetëm bimësinë, por edhe jetën e njerëzve.