13-vjeçari nga Durrësi nis jetë të re në Tiranë

Endri së bashku me familjen kanë nisur një jetë të re në Tiranë pasi tërmeti i 26 nëntorit u shkatërroi shtëpinë në Durrës.

13 vjeçari do të marrë dije në shkollën “Katër Dëshmorët”.

Endri: “Nxënësit e tjerë më mirëpritën me shumë miqësi kur u takova.”

Ndihet më i qetë dhe i mirëpritur në shkollën e re, por kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit i ka ende të freskëta.

Endri: “Ishte shumë frikë. Kur ra tërmeti ishim të shtrirë në krevat dhe nuk ngriheshim dot. Duhet të prisnim sa të mbaronte. Kishim frikë se mos na binte suvaja në kokë.”

Bashkëmoshatarët e tij, në të njëjtën klasë tregojnë se kanë kaluar frikën dhe i janë rikthyer jetës normale.

“Më shpjeguan prindërit në shtëpi se ishte një fatkeqësi natyrore dhe nuk duhet të kisha frikë.”

“Duke pasur një vëlla më të vogël u përpoqa të isha e qetë.”

Drejtorja e kësaj shkolle, Mamica Çano, thotë se prej disa ditësh mësuesit janë trajnuar për rifillimin e mësimit, në mënyrë që fëmijët të kalojnë pasojat që la pas tërmeti.

Mamica Çano: “Gjatë gjithë javës së shkuar, së bashku me mësuesit kemi punuar dhe përgatitur planet tona në rast evakuimi pas fatkeqësisë që kaluam.”

Mësuese: “Jemi përpjekur të sjellim një atmosferë sa më normale në klasë. Duke qenë se jemi pranë festave mendova që së bashku me nxënësit të rregullonin edhe pemën e Vitit të Ri si edhe të mos diskutonim për tema të frikës.”

Të hënën mësimi rinisi normalisht në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Por 38 institucione arsimore në të gjithë vendin nuk hapën dyert për shkak të dëmeve të rënda që kanë pësuar.

Në shkollën 9 vjeçare “Emin Duraku”, prindërit kanë refuzuar të dërgojnë në mësim fëmijët e pasi nuk e dinë ende nëse shkolla ofron siguri.

Ndërtesa ku kanë zhvilluar mësim nxënësit e ciklit fillor është rrethuar me shiritin e sigurisë.

Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Arsimit, prindërit kërkojnë të njihen me akt ekspertimin, në të kundërt fëmijët do të bojkotojnë procesin mësimor.

“Një përgjigje zyrtare këta prindër nuk e meritojnë qëe të qetësohen për gjithë traumën që kanë kaluar. Kjo përgjigje zyrtare neve na pengon dhe na krijon një mungesë besimi total.”

Edhe nxënësit që janë vendosur në hotele kanë rinisur mësimin përmes shkollave të përkohshme.

/Ora News

SHKARKO APP