1300 nxënës dhe 600 mësues me Covid-19. Boçi: Qeveria sheh ëndrra, s’merr masa
Teksa ka dhënë shifrat se 1300 nxënës dhe 600 mësues janë të prekur nga Covid-19, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se shkollat janë kthyer në vatra të Covid-19. Situata është kaotike dhe nevojiten menjëherë masa. Nga ana tjetër, mësohet se 8 mësues ndodhen të shtruar në spitalet Covid.
”Kemi gati 1300 nxënës të infektuar deri tani, janë gati 600 mësues të infektuar dhe disa që kanë humbur jetën. Përballë këtyre shifrave, besoj se duhet të kishte një alarm të madh, që situata të kthehej drejt normalitetit. Këta flenë gjumë rehat, shohin ëndrra, nuk përballen dot me të vërtetën dhe të marrin masat që janë krejtësisht të domosdoshme”, u shpreh Boçi.
Një tjetër problem, sipas Boçit është edhe vonesa e përgjigjeve të tamponëve, e cila sipas tij, shkon deri në 8 ditë. ”Testimet që kryhen me iniciativën personale të mësuesve dhe nxënësve zgjasin me kohë, ndërsa ata vijojnë frekuentimin e shkollës dhe rrezikohet përhapja e virusit. Nuk mund të ecë shëndetësia me iluzione, por me masa financiare”,-tha në ”A2cnn”.
Sipas Boçit në këtë situatë, në Ministrinë e Arsimit duhet të kishte një këshill ekspertësh me specialistë dhe që duhet të kishin ndërtuar një strategji konkrete, në mënyrë që shkollat të kishin një funksionim normal edhe nëse fëmijët do të duhet të ndiqnin mësimin online.