14.5 milionë lekë për shpronësime rreth rezervuarit të Banjës! “Faturën” e paguan “Devoll Hydropower”

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësime në kuadër të projektit të rrugëve përgjatë bregut jugot të rezervuarit të Banjës. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “truall” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 14 milionë e 564 mijë lekë.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga fondet e “Devoll Hydropower. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.   Shpenzimet për publikimin e kërkesës për shpronësim në organet e shtypit, në vlerën 2 692 000 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohen nga fondet e “Devoll Hydropower”, sh.a” përcaktohet në vendim.

Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë deri në tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë “Devoll Hydropower”, sh.a.

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RRUGËT PËRGJATË BREGUT JUGOR TË REZERVUARIT TË BANJËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rrugët përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Banjës”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “truall” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 14 564 482 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 564 482 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga fondet e “Devoll Hydropower”, sh.a.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpenzimet për publikimin e kërkesës për shpronësim në organet e shtypit, në vlerën 2 692 000 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohen nga fondet e “Devoll Hydropower”, sh.a.
7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë deri në tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë “Devoll Hydropower”, sh.a.

9. “Devoll Hydropower”, sh.a., të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

10. Për pasuritë e llojit “tokë bujqësore”, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, ndryshohet statusi në tokë urbane “truall”.

11. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Elbasan, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral ndryshimin e kategorisë së resursit, sipas pikës 10, të këtij vendimi.

12. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, në bashkëpunim me “Devoll Hydropower”, sh.a., brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

14. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, “Devoll Hydropower”, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

SHKARKO APP