14 Maji, Berisha: Kandidatët janë misionarë për të përmbysur sistemin monist të vendosur nga mafia
Kryetari i PD-së, Sali Berisha zhvilloi një takim me kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet vendore të 14 majit. Berisha i ka përshëndetur kandidatët e PD-së të cilët i ka quajtur misionarë për të përmbysur sistemin monist të vendosur me mbështetjen e mafies.
Gjatë fjalës së tij, po ashtu Berisha akuzoi se Rama u rrëmbeu votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe mori në dorë të gjitha pushtetet.
“Në kushtet e një vendi ku kandidaturat e krahut tjetër i përcakton droga, narkoeurot, bandat, klanet e tyre, prania juaj në garë elektorale është prania e misionarëve të vërtetë. Misionarëve për të çuar më përpara kauzën e lirisë dhe dinjitetit. Misionarëve për të përmbysur sistemin monist të vendosur me mbështetjen e mafias shqiptare, rajonale, evropiane dhe botërore. Edi Rama arriti të vendosë në Shqipëri, monizmin e plotë. Të vendosë kontrollin e plotë dhe total në të gjitha pushtetet, sepse rrëmbeu votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. E shndërroi atë në një vlerë fiktive, jo reale”,-tha Berisha.