140 dosje në pritje, Kushtetuesja rinis punën pas 30 muajsh pezullim
Me betimin e Përparim Kalo në Presidencë duke u bërë anëtar i 6-të i Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë tashmë është zyrtarisht funksionale që prej ditë së sotme. Gjykata Kushtetuese organi më i lartë në Shqipëri që garanton zbatimin e Kushtetutës dhe balacën e pushteteve ishte e pezulluar që prej mars 2018. Në një kohë kur prej saj pritet të shprehet për çështje shumë të rëndësishme të së drejtës, mes tyre dhe procesi i zgjedhjeve lokale që u bojkotuan nga opozita, në një reagim zyrtar të Gjykatës Kushtetuese thuhet se, do të funksionojë me integritet.
“Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”, thuhet në reagimin për media.
“Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit”, nënvizohet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese. Përparim Kalo, anëtari i gjashtë i gjykatës Kushtetuese bëri betimin në Presidencë duke bërë kështu funskionale këtë gjykatë. Nga dita e hënë ai do të marrë zyrtarisht detyrën, ku pritet të shqyrtohen rreth 140 dosje.
Një nga çështjet më të debatura të politkës kanë qenë zgjedhjet vendore të 30 qershorit, që opozita i cilësoi si antikushtetuese ndërsa kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi paraqiti një kërkesë në kushtetuese duke kërkuar anulimin e tyre si dhe verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re “Bindja Demokratike”.
Për vakancën tjetër të shpallur nga presidenti, për të cilën mbetet në garë vetëm kandidatja Sonila Bejtja, këshilli i emërimeve në drejtësi pritet të mblidhet javën e ardhshme. Megjithëse gjykata kushtetuese tashmë është funksionale, juristët kërkojnë plotësimin e vakancave të tjera. Pas plotësimit të vakancës tjetër të shpallur nga presidenti, 3 anëtar të tjerë të gjykatës kushtetuese duhet të vijnë nga radhët e gjykatës së lartë, njëri prej të cilëve do të zërë vendin e anëtares aktuale Vitore Tusha të cilës i ka mbaruar mandati.