15 fituesit e konkursit “Eco-Quizz”, Veliaj: Mezi pres të kalojmë nga 1 mijë nxënës te Tumo Tirana, në 5 mijë
Që prej hapjes, dy vite më parë, Qendra “Tumo Tirana” është kthyer jo vetëm në një fidanishte të koduesve të rinj digjitalë, por edhe një urë lidhëse me tregun e punës për fuqizimit e rinisë në fushat tech-financiare. Ditën e sotme u shpallën 15 fituesit e konkursit “Eco-Quizz” të organizuar nga “Tumo Tirana”, me mbështetjen e Intesa Sanpaolo Bank dhe Muzeut të Kursimit në Torino.
Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se mezi pret që numri i atyre që studiojnë në qendrën Tumo dhe që merren me Start up-e të rritet. “Mezi pres që kur të bëjmë tranzicion te Piramida, të shkojmë në nivelin industrial, të kalojmë nga një start-up me 1 mijë nxënës, në 5-6 mijë nxënës. Unë besoj se ne vërtet mund të jemi një komb start up-esh. Ne jemi një vend modest, i vogël, nuk jemi operator i rëndësishëm në tregun botëror, kjo do të thotë se shumë prej kostove që marrim, siç mund të jetë energjia, karburanti, nuk varen fare nga ne. Por, në këtë Ecoquiz unë besoj se apeli është si të jemi qytetarë të përgjegjshëm”.
Po ashtu për të një vend i vogël si Shqipëria ka nevojë për modele të suksesshme dhe qytetarë të përgjegjshëm. “Fabula e shitjes së bankës, ish-Banka Amerikano-Shqiptare tek Intesa, përdorimi i atyre parave për të bërë disa punë me Bashkinë e Tiranës, siç është Pazari i Ri apo “Tumo”, për të punuar me pazarin e Gjirokastrës, me pazarin e Krujës, për të punuar me Butrintin, është një metaforë shumë e bukur se do të thotë që gjithë ajo histori suksesi, ajo energji, ato fitime, që dolën prej atij transaksioni, në dukje të rëndomtë, u kthyen prapë në komunitet. Pra, nuk ishte diçka që shkoi si fitim për t’u ndarë si divident për disa njerëz të pasur në Itali ose në Amerikë. Por ishte një mënyrë për t’i rikthyer komunitetit atë histori suksesi që prodhoi vetë ky komunitet”, nënvizoi Veliaj.
TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët duan të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Në TUMO Tirana, fëmijët kanë planin e tyre mësimor të personalizuar nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme.