15 kushtet e Parlamentit Europian, Tritan Shehu: Ditë e trishtë për Shqipërinë! Ato ekzistojnë sado të bëjë Rama shurdhin e qorrin
Nga Tritan Shehu
Ditë e trishtë për Shqipërinë!
Parlameni Europian mbrëmë miratoi amendamentin me 15 parakushtet për takimin zyrtar të çeljes së negociatave me vendin tonë.
Është nga rastet e pakta qe Parlamenti mbështet vendet anëtare për të tilla vendime dhe pa dyshim ka një peshë të madhe politike.
Ky rekomandim nuk ka aspak të bëjë me ndonjë element kundërshtie në parim për integrimin e Shqipërisë, përkundrazi të gjitha hapat, përpjekjet e vendimet e deri tanishme edhe në këtë situatë të vështirë për BE, tregojnë vendosmërinë e vullnetin e plotë të vendeve anëtare për të pasur brenda kufijve të BE dhe shqiptarët.
Në fakt ajo çfarë po ndodh pritej, 15 parakushtet, janë vendosur prej kohësh, ato ekzistojnë sado të bëjë Rama « shurdhin e qorrin », apo të kërkojë t’i fusë në një thes me «mijëra të tjera», që janë veçse standarde e arritje që duhen kryer deri në anëtarësimin e plotë në BE.
Këto para kushte lidhen me problemet tona aktuale, me deformimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, pronës, korrupsionin, krimin, trafiqet, drogën, devijime në politiken tonë të jashtme e atë rajonale, etj. hapa këto tejet të rrezikeshme që vetëm të largojne nga Brukseli.
Pra ashtu si problemi qëndron midis nesh dhe korrigjimi i tij, përshpëjtimi i integrimit, i kanë mekanizmat korrigjues e rregullues këtu në Shqipëri, në dorën e vullnetin tonë e jo diku gjetkë.
Nuk ka asnjë fobi europiane ndaj integrimit shqiptar, ka të tillë veçse ndaj çfarë cenon parimet e vlerat tona europiane, pra që na godet neve në thelbin tonë për të cilin duhet të përpiqemi e luftojmë pa ndërprerje, atëherë integrimi do të jetë i afërt!