15 muaj në burg, eurodeputeti grek Beleri mban fjalimin e parë në Himarë: Rama dhe Tavo janë problemi

Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i qytetit bregdetar të Himarës dhe eurodeputet grek, Fredi Beleri pas 15 muajve burg, mbajti një fjalim në Himarë. 10 minutat e fjalimit të Belerit, të ndara 4 në shqip e 6 në greqisht, ishin të mbushura me vlerësime për rezistencën e himarjotëve që nga dita e arrestimit të tij më 12 Maj, 2023.

“Të dashur himarjotë. Nga Vranishti në Borsh dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen këto 15 muaj. Janë nder i madh për mua zgjedhjet e Himarës. Më burgosën me të padrejtë, më fajësuan me pa të drejtë dhe me pa të drejtë erdhën këtu deputetët. Nuk kanë pse ju dhunojnë dhe shantazhojnë”, tha ai.

Beleri tha se burgosja e tij ishte e padrejtë, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e dalë nga zgjedhjet e 4 gushtit, Vangjel Tavo se po kërkojnë të përçajnë Himarën. Eurodeputeti më i ri i Greqisë vlerësoi rolin që luajti Athina zyrtare në mbrojtjen e figurës së tij, duke thënë se shpina e himarjotëve mbrohet edhe nga kryeministri helene Kyriakos Mitsotakis.

”Asnjë luftë nuk shkon e humbur. Nuk jemi vetëm, kemi kryeministrin grek, shtetin grek dhe ambasadoren greke. Në këtë luftë kemi me vete edhe shqiptarët e ndershëm. Ata që janë që besojnë te e drejta. Kur ishim ne Himarjotët problem për Shqipërinë? Në ‘97 ra shteti dhe Himarjotët paguanin ujë e drita. Ata që nuk i japin dot vendit të tyre mirëqenie kërkojnë armiq. Nëse jemi të bashkuar do kemi edhe zotin me vete”, nënvizoi ai.

SHKARKO APP