15 plumba lokalit, Boriçi: Më ngatërrojnë, s’kam lidhje me bandën e…
Banorët e Fierit ishin dëshmitarë të një “lufte” në mes të ditës. 15 plumba vërshuan drejt lokalit të Agim Boriçit mëngjesin e së mërkurës. Në fillim u tha se Boriçi është një person i dënuar për krime të rënda, por sot mësohet e vërteta. Agim Boriçi, pronari i lokalit ku vërshuan plumbat, ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Ai thotë se bën një jetë të qetë dhe se nuk ka lidhje me fisin Boriçi në Lushnje, dhe se autorët mund ta kenë ngatërruar.
E ndërsa tregon momentin kur qëlluan me armë në drejtim të lokalit, ai shton se po bashkëpunon me policinë për të zbardhur ngjarjen. Lokali ndodhet pranë një shkolle dhe Boriçi shprehet se fatmirësisht në ato momente nuk kishte nxënës apo mësues të pranishëm.
”Nuk ruhem nga askush. Mendoj se ajo çka ndodhur nuk ka të bëjë me personin tim dhe familjen time. Ne jemi Boriçtë e Fierit dhe nuk kemi të bëjmë me Boriçtë e Lushnjës, që e kanë lidhur edhe me bandën e Lushnjës. Nuk jam person në kërkim dhe nuk kam probleme me drejtësinë. Jam babai i tre fëmijëve dhe bëj një jetë normale. Dua që drejtësia të nxjerrë në dritë të vërtetën. Kemi bashkëpunuar me policinë në çdo hap. Isha në lokal në momentin e ngjarjes dhe fatmirësisht nuk ka pasur nxënës e mësues. Nuk ka pasur shkëmbim zjarri, vetëm të shtëna nga jashtë. Jemi habitur çfarë kemi dëgjuar. Është abuzuar me ngjarjen dhe të përgënjeshtrohet pjesa e pavërtetë e historisë”,-ka thënë më tej Boriçi për ”Report TV”.
Brenda makinës së shkrumbuar të autorëve është gjetur edhe arma tip kallashnikov me silenciator me të cilën është shtënë në drejtim të lokalit të Agim Boriçit. Makina është me targa greke ”YNK 1329”, ende nuk ka të dhëna se kujt i përket ky automjet, ndërsa grupi hetimor po bën verifikimet për të zbuluar shkakun se për çfarë është qëlluar drejt këtij lokali.
KOHA JONË SONDAZH

