15 vite burg për zjarrvëniet, ministri Peleshi: Tregon vendosmërinë tonë ndaj krimit
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar këtë mbrëmje për ngjarjen në Berat ku dy persona u kapën duke ndezur qëllimisht zjarr në një masiv pyjor të malit Partizan në Berat. Teksa ka përgëzuar Policinë për arrestimin e dy autorëve, Peleshi paralajmëron të gjithë ata që tentojnë zjarrvënien e qëllimshe se mund të dënohen deri në 15 vite me heqje lirie, duke thënë se ky ndëshkim tregon vendosmërinë e institucioneve tona ndaj këtij veprimi kriminal.