15 zyrtarë të tjerë në hetim për inceneratorët e Fierit e Tiranës

Prokuroria e posaçme po përfundon hetimet edhe për dy inceneratorët e tjerë, atë të Tiranës dhe Elbasanit. Prokurorët Dritan Premçi e Vladimir Mara janë drejt mbylljes së dosjes, ndërsa po kryhen veprime e fundit hetimore për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Janë të paktën 15 persona ndaj të cilëve po zhvillohen veprime hetimore, ku përfshihen zyrtarë dhe is-zyrtarë. Nuk përjashtohet mundësia që ndaj tyre të vendosen masa sigurie. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i arrestuar nga SPAK ditën e martë për skemën e abuzimit me inceneratorin e Elbasanit pritet të dalë para gjykatës këtë të enjte. Mbi të rëndojnë akuza e “Korrupsionit”, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës”.

Koka po mbahet i izoluar në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës dhe nesër, në orën 11 e 15 minuta, gjyqtari Erjon Bani do i komunikojë zyrtarisht akuzat e SPAK. Nga ana tjetër policia ka zhvilluar kontrolle për arrestimin e biznesmenëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, që sipas prokurorisë, përmes një skeme fiktive, i kanë paguar ish-ministrit 3 milionë e 685 mijë euro për të përfituar ndërtimin e inceneratorit.

Duke iu referuar sistemit “TIMS”, dy biznesmenët rezultojnë se nuk janë larguar nga Shqipëria, por ka dyshime se mund të kenë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.

Marrë nga: ABC News Albania

SHKARKO APP