165 policë aplikojnë për FBI-së shqiptare, afati deri më 29 shatator
165 punonjës policie kanë aplikuar deri më tani për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ose siç njihet ndryshe si FBI-ja shqiptare. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe aplikantë nga Shoqëria civile. Për “Top Channel” drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj përsëriti mesazhin e saj, duke ftuar çdokënd që plotëson kriteret, që të aplikoje deri në datën 29 shtator, që është limiti i fundit i garës nga ku do të zgjidhen betuesit e byrosë. Ajo u shpreh më tej se BKH është në kërkim për më të mirët dhe ndaj fton këdo që demonstron profesionalizëm, integritet dhe lidership të plotësojë formularin on line.
Si bëhet aplikimi?
Formulari prej 7 faqesh që duhet të aplikojnë kandidatët që duan të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndodhet në faqen zyrtare të BKH-së. Kandidatët duhet të plotësojnë gjeneralitetet që kërkohen si emri, mbiemri, adresa e banimit, numri i telefonit, vendi i lindjes apo numri i pasaportës, data e lindjes së babait dhe nënës, çdo e dhënë për kolegjin, gjimnazin apo universitetin. Gjithashtu në formular ka edhe pyetje interesante si pesha, ngjyra e flokëve apo ngjyra e syve.
Për çdo punë të mëparshme që ata mund të kenë bërë apo kanë aplikuar, duhen të dhëna apo kontakte për ndonjë koleg apo drejtues për të bërë të mundur marrjen e informacioneve për ta. Gjithashtu vërtetimet se ku ka punuar apo nëse është shkarkuar nga puna dhe arsyet e shkarkimit.
Aplikantët duhet të japin informacion nëse kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, ndonjë sëmundje nga e cila vuajnë, nëse marrin mjekime rregullisht Në formular duhet të plotësohet nëse ndonjë i afërm i tyre është emëruar në BKH. Nëse ata janë në gjykim apo hetim, anëtar të ndonjë partie politike, apo simpatizantë.
Pas plotësimit të të gjitha të dhënave, duhet të kalohet edhe testi i ushtrimeve fizike si edhe të verifikohet pastërtia e figurës. Pas gjithë këtij procesi 60 kandidatët do të marrin distinktivin, do të testohen në makinën e së vërtetës, pasi ta kalojnë edhe këtë procedurë ata do të trajnohen me agjentët e FBI-së në SHBA.
Njoftimi për hapjen e aplikimeve për pozicionin e hetuesit të BKH-së
Në zbatim të Ligjit Nr 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me këtë njoftim publik çelim procesin e rekrutimit për Pozicionet e Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes këtij procesi do të përzgjidhen 60 hetues që do të jenë pjesë e BKH. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë përvojën e duhur dhe përmbushin kriteret ligjore për arsimimin e duhur, integritetin, aftësitë mendore dhe fizike.
Në synojmë të zgjedhim pjesë të ekipit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit profesionistët më të zotë, që garantojnë profesionalizëm dhe përkushtim në permbushje të këtij misioni të lartë. Ekipi i ri do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe do garantoj një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm. Ju bëjmë thirrje të gjithë personave të interesuar që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” që të aplikojnë për këtë pozicion pune.
Të gjithë kandidatët ftohen të marrin pjesë në një proces përzgjedhjeje të drejtë, transparent, të barabartë që përfshin: aplikimin elektronik, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, provimin me shkrim që mat aftësit e shkrimit të raporteve dhe nivelin e shkrimit e leximit, intervistën që mat aftësit e komunikimit verbal, aftësit për ti komunikuar idetë me efiçencë dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe figurës.
Kandidatët që do të indentifikohen si më të mirët, duke ndjekur të njëjtin proces përzgjedhje si ai që zhvillohet sot për rekrutimet në FBI-së, do të verifikohen për plotesimin e kritereve të integritetit dhe do ti nënshtrohen testimit të Poligrafit. Procesi do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve çka garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces rekrutimi. Kandidatët fitues do t’i nënshtrohen një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI).