Pader Zef Pllumi: Çfarë ndodhi në Kishen e Shna Ndout në LAÇ me 13 qershor 1990
Aktualitet E Enjte, 17 Qershor 2021 09:43
Pader Zef Pllumi, çfare ndodhi ne LAÇ me 13 qershor 1990
“Papritmas me daten 13 Qershor 1990 nji turmë e madhe shqiptarësh, prej të gjitha anëve të Shqipnisë, u turren në Shejtnore të Shna Ndout në Sebaste – Laç, për t’u lutë mbi germadhat e Shejtnores. Shteti u alarmue nga kjo ngjarje. Ishte e para herë qysh nga vjeti 1944 që populli mblidhej pa kenë i thirrun sepse tubimet e protestat ishin të ndalueme me ligjë të diktaturës. Thohej se atë ditë kishin marrë pjesë rreth gjashtdhetëmijë (60.000) vetë. Kështu tha deri Radio Tirana shtetnore, ndër lajme të veta, tue e paraqitë si nji piknik popullor. Qeveria dergoi për kontroll të gjendjes shumë forca, si edhe Sekretarin e parë të Partisë Pirro Kondin nga Tirana, perveç Sekretarit të pare të Partisë të qytetit Laç, ashtu edhe të Krujës. Këta mbas shumë takimesh që paten me popullin e mbledhun aty, dhanë perfundimin se nuk kishte mbrendë atij tubimi asnji qellim politik, as ndonji organizator të veçantë. Ishte vetem nji mbeturinë fetare e së kaluemes, sepse të gjithë kerkonin ndimen e Shna Ndout.
Në atë ditë kishte shkue atje mbi germadhat e shejtnores edhe frati Át Leon Kabashi, bashkë me motren e vet e me nipat, si shumkush tjeter prej rretheve të Shkodrës. Besimtarët, kur e njoften, i u luten t’i thonte nja dy fjalë gjith atij populli mbi mrekullitë e Shejtit Shna Ndue. Atëherë Pater Leoni u tha se shi ajo ditë ishte nji mrekulli e madhe mbasi ai vetë, që ishte në nji moshë të shtyme rreth 85 vjeçare, gjindej atë ditë aty mes të gjithë atij populli, të paftuem prej kurrkuj tjeter perveç zanit të mbrendëshem të shpirtit me u bashkue aty, n’atë maje mali tanë shkrepa e pa rrugë e pa mjete udhtimi. Atë ditë qeveria urdhënoi që treni Tiranë-Shkodër e Shkodër Tiranë të bante dy tri udhtime jashtë orarit në mënyrë që populli të shperndahej sa ma parë.”
-Pater Zef Pllumi-