17 lëvizje prokurorësh, që nga Elvin Gokaj tek Etien Kapo (Lista e plotë)

Një valë ndryshimi ka përfshirë prokuroritë e rretheve, kjo pasi anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë vendosur të miratojnë 17 ndryshime. Kryesisht janë prekur prokurorë që ushtrojnë funksionin e tyre pranë prokurorive të Durrësit, Korçës, Tiranës, Shkodrës, Krujës dhe Elbasanit.

I pari që ka lëvizur, është prokurori i Shkodrës Xhevahir Lita, i cili kohët e fundit ishte angazhuar në hetimin e vrasjes me 79 plumba të Bardhok Planaj në Dobraç të Shkodrës. Lita është transferuar në prokurorinë e Tiranës. Ndërsa prokurori i Tiranës, Etien Kapo, është larguar pas shumë vite në detyrë në këtë institucion, duke u emëruar si prokuror pranë prokurorisë së Apelit në Durrës.

Në të njëjtën prokurori është transferuar dhe prokurori Elvin Gokaj, i cili kaloi me sukses Vetting-un dhe më pas shërbeu si prokuror Apeli në Shkodër. Gokaj transferohet tashmë në Apelin e Durrësit, për të vijuar dhe përfaqësuar akuzën në gjyq pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Në Apelin e Shkodrës, emërohet në krye të prokurorisë Lazer Çardaku. Anëtarët e KLP, kanë larguar nga posti i drejtimit të prokurorisë së Lezhës, prokurorin Milan Laska, i cili është transferuar si prokuror i thjeshtë, në prokurorinë e Tiranës. Në vendin e drejtuesit të prokurorisë së Lezhës, është caktuar prokurori, Erjon Shehu. Një tjetër emër që “braktis” prokurorinë e Lezhës është, Arben Agovi, i cili transferohet në prokurorinë e Tiranës.

Kësaj prokurorie i bashkohet dhe magjistratja, Ornela Rrumbullaku, që më parë ka shërbyer pranë prokurorisë së Kavajës. Nga Kavaja është larguar dhe Edina Kurti, e cila është transferuar në prokurorinë e Durrësit. Për shkak të vendeve vakante në prokurorinë e Tiranës është transferuar dhe prokurorja e Lushnjës, Rovena Bozo.

Lista e transferimeve

1. Xhevahir Lita, nga Shkodra në Tiranë

2. Bajram Breçani nga Elbasani në Tiranë

3. Etien Kapo nga Tirana në Apelin Durrës

4. Erion Çela nga drejtues në Vlorë në Apelin Vlorë

5. Artur Ismailukaj nga drejtues në Tropojë në Elbasan

6. Ervin Beqiri nga Korça në Elbasan

7. Milan Laskaj nga drejtues në Lezhë në Tiranë

8. Rovena Bozo nga Lushnja në Tiranë

9. Elvin Gokaj nga Apeli në Shkodër në Apelin në Durrës

10. Olgert Rumnici nga Berati në Krujë

11. Edina Kurti nga Kavaja në Durrës

12. Edmond Karriqi nga Kukësi në Lushnjë. (Komandohet drejtues në Kukës)

13. Gentjan Habazaj nga Berati në Elbasan

14. Saimir Bahiti nga Shkodra në Durrës

15. Ornela Rrumbullaku nga Kavaja në Tiranë

16. Arben Agovi nga Lezhë në Tiranë

17. Lazer Çardaku nga Shkodra në Apelin e Shkodrës

SHKARKO APP